Maqedoni

"Krishtlindjet” në meshën në Maqedoni, asnjë lutje në shqip

24.12.2014 16:44

Besimtarët katolikë në të gjithë botën sot festojnë “Krishtlindjet”, por për dallim nga të gjithë katolikët e tjerë të botës...

Besimtarët katolikë në të gjithë botën sot festojnë “Krishtlindjet”, por për dallim nga të gjithë katolikët e tjerë të botës, shqiptarët katolikë në Maqedoni edhe këtë vit përballen me të njëjtin problem.
 
Tashmë disa vite, në kishën katolike në Shkup nuk flitet asnjë fjalë në gjuhën shqipe.
 
Më herët të paktën urimi thuhej në shqip dhe kjo në njëfarë mënyre zëvendësonte mungesën e shqipes gjatë predikimeve fetare, por tani çdo gjë bëhet në maqedonisht, madje edhe në disa gjuhë të tjera, vetëm në shqip jo.
 
Katolikët shqiptarë sonte në mesnatë do të luten edhe për rikthimin e shqipes në kishën e tyre. 
 
“Mesha në Kishën e “Zemrës së Krishtit”, pra kisha ku Nënë Tereza është pagëzuar, nuk mbahet në gjuhën shqiptare edhe pse të krishterët katolikë me shekuj këtu në Shkup kanë qenë vetëm shqiptarët. Sakrifikuesit e kishës katolike të diogjezit të Shkupit, nuk e shohin të arsyeshme që të angazhojnë një prift shqiptar, e që i kemi mjaft si nga Kosova, ashtu edhe nga Shqipëria, të cilët janë të gatshëm të vinë dhe t’i ndihmojnë besimtarëve shqiptarë këtu në Maqedoni, në vendin ku ipeshkvi ka qenë edhe Lazër Mjeda, në fillim të shekullit XX ka qenë edhe Pjetër Bogdani”- deklaroi nënkryetari i Komisionit për Marrëdhënie Ndërfetare, Anton Sereçi.  
 
Katolikët shqiptarë, nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre që një ditë të kryejnë meshën në gjuhën shqipe. Ata theksojnë se është koha që institucionet e vendit të  ndihmojnë në zgjidhjen e  kësaj çështje.
 
“Si duket duhet të marrin iniciativë besimtarët katolikë shqiptarë, me ndihmën e pushtetit, që të munden ta zgjidhin këtë problem, i cili nuk do të ishte problem po qe se do të ishte në një shtet tjetër, ashtu siç organizohet në mbarë botën”- tha Sereçi.  
 
Sonte katolikët shqiptarë do të vazhdojnë të luten në mesnatë në kishën e “Zemrës së Krishtit” në Shkup dhe lutja më e madhe e tyre do të jetë “Bekoje Zot gjuhën tonë dhe ktheje atë në kishën e saj, në kishën e Terezës dhe Bogdanit, aty ku gjithmonë e ka pasur vendin”.
 
REXHEP QAMILI