Ekonomi

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria thellojnë bashkëpunimin ekonomik

25.01.2022 16:58

Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, qeveritë e RMV-se dhe Bullgarisë...

Me qëllim të intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik, qeveritë e RMV-se dhe Bullgarisë nënshkruan një sërë memorandumesh bashkëpunimi. Ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ministri bullgar për Inovacion dhe Rritje, Daniel Lorer, nënshkruan Memorandum mirëkuptimi mes Agjencisë për Mbështetjen e Sipërmarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Agjencisë Bullgare për Promovimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Përmes këtij memorandumi synohet të promovohet bashkëpunimi tregtar dhe investues ndërmjet ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të të dy vendeve.
 
"Bashkëpunimi në përputhje me memorandumin e nënshkruar do të jetë në pjesën e shkëmbimit të informacioneve lidhur me politikat dhe masat për promovimin e NVM-së, shkëmbimin e përvojave në organizimin dhe administrimin e aktiviteteve për ofrimin e shërbimeve për NVM-në, organizimin e seminareve, panaireve dhe ekspozitave të tjera promovuese, aktivitete për forcimin e shkëmbimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet NVM-së nga të dyja vendet.",- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Ekonomisë.
 
Memorandum për liberalizimin e transportit të mallrave, memorandum për zhvillim të lidhjes hekurudhore Shkup-Sofje, si dhe memorandum në fushën e bujqësisë, janë marrëveshjet tjera të nënshkruara në Sofje.
 
ERSAN PAJAZITI