“Shfuqizimi i qeverisë teknike”, opozita pret mbështetje, pushteti konsensus

25.01.2022 17:59

VMRO-DPMNE pret përkrahje nga të gjitha partitë politike...

VMRO-DPMNE pret përkrahje nga të gjitha partitë politike për ndryshimet e ligjit që kanë të bëjnë me shfuqizimin e dispozitave për qeverinë teknike të cilat tashmë i kanë dorëzuar në Kuvend.

Nënkryetari i kësaj partie, Aleksandar Nikollovski, tha se ndryshimet kanë për qëllim shkurtimin e afateve ligjore për organizimin e zgjedhjeve.

“Pres që në seancën e nesërme propozimi ynë të futet në rendin e ditës në Kuvend, të shqyrtohet dhe miratohet. Ne heqim dorë vullnetarisht nga ky mekanizëm për të shkurtuar afatin e duhur për organizimin e zgjedhjeve dhe nga 100 ditët e parashikuara me këtë qeveri teknike të kalojmë në 45 ditët kushtetuese për organizimin e zgjedhjeve që do të shkurtojnë shumë afatet dhe që është një argument për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.”,- tha Aleksandar Nikollovski nga VMRO-DPMNE.

Nga ana tjetër në LSDM thonë se në VMRO-DPMNE, po mbretëron panik për shkak të punës së dobët të kryetarëve të tyre nëpër komuna, ndaj ata po përpiqen të defokusojnë çdo ditë opinionin me kërkesat për zgjedhje të parakohshme.

Sipas tyre, për dy muaj u pa publikisht se kryetarët e VMRO-DPMNE-së janë zhgënjim i madh, andaj kjo parti pa bazë kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare. 

“Me projektligjin për shfuqizimin e qeverisë teknike, VMRO-DPMNE-ja me vetëdije apo pa vetëdije pranon se Qeveria e udhëhequr nga LSDM dhe institucionet dinë dhe mund të organizojnë zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike pa u sfiduar nga askush. Kërkesa për zgjedhje të parakohshme në kohën kur po zgjidhen sfidat e krizës shëndetësore, ekonomike dhe energjetike është një akt i papërgjegjshëm i VMRO-DPMNE-së dhe Mickoskit.”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Në LSDM mbeten në qëndrimin se për ndryshimet nevojitet konsensus mes partive ndërsa për këtë sipas tyre ka kohë sepse zgjedhjet nuk do të ketë para afatit të rregullt në vitin 2024.

Ndërkohë sipas BDI-së, shfuqizimi i Qeverisë teknike nga Ligji për qeverinë nuk cenon kryeministrin shqiptar. (Naim Ramadani, TVM2)