Shtyhet gjykimi për rastin “Softueri”, Rashkovski: Provat të paligjshme, propozoni të reja

25.01.2022 18:18

U shty seanca e parë gjyqësore për ish - sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë....

U shty seanca e parë gjyqësore për ish - sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski i akuzuar në rastin “Softueri” për shkak të mungesës së njërës prej të akuzuarve Maja Siljanovska.

Rashkovski thotë se provat kundër tij në këtë rast janë në mbledhura në mënyrë të paligjshme.

Akuzon prokuroren Ivana Trajçeva se ka krijuar mesazhe të rreme në kompjuterin e tij dhe të njëjtat i ka propozuar si prova se kinse ai ka pas komunikuar me shkrim. Andaj Rashkovski i propozoi trupit gjykues 20 dëshmi të reja dhe kërkoi që për këtë rast dëshmi të japë edhe ish-ministri i Punëve të Brendshme, Nake Çulev.

“Është e turpshme që persona të cilat nuk kanë njohuri, licenca dhe persona të cilat nuk janë ekspert t’u lejohen të rrënojnë, të prekin të dhënat private të personave të cilëve u janë konfiskuar telefonat e tyre. Paramendoni  kemi 43 mesazhe në sekondë. Më thoni, po kontrolloja në një kompjuter nuk ekziston. Rekordi guinness është që për më pak se 50 sekonda mund të shkruash një mesazh e jo më 43 në një sekondë.”,- tha i akuzuari, Dragi Rashkovski.

Rashkovski kategorikisht hedh poshtë akuzat se me mjetet e paligjshme të fituara ka shlyer kreditë dhe ka mbushur kartelat e tij bankare.

Thotë se këto lëvizje bankare kanë qenë të refuzuara nga Qeveria për shkak të realizimit të udhëtimeve zyrtare të cilët më pas Rashkovski i ka vendosur në xhirollogaritë e tij për t’i mbuluar shpenzimet.

Trajçeva: Dëshmitë në procedurë të rregullt ligjore

Mirëpo kështu nuk mendon prokurorja, Ivana Trajçeva, e cila thotë se dëshmitë janë mbledhur në procedurë të rregullt ligjore.

“Veprimet e prokurorisë në këtë rast nuk ndryshojnë nga ato në rastet e tjera, për të cilat raste tashmë ka madje edhe vendime gjyqësore të formës së prerë duke përfshirë tashmë rastet e njohura në opinion si “Zhvatja” dhe “27 prill.””,- tha prokurorja, Ivana Trajçeva.

Në rastin “Softueri” janë akuzuar gjithsej 7 persona. Dragi Rashkovski gjykohet për dy vepra penale “pastrim parash” dhe “keqpërdorimin e detyrës që ka të bëjë me prokurimin e softuerit për shpejtësinë e veturave në trafik dhe identifikimin biometrik, ndërsa gjashtë të tjerë për ndihmë në vepër penale, të cilat sipas prokurorisë kanë dëmtuar buxhetin për 300 mijë euro. (Rexhep Qamili, TVM2)