Maqedoni

VMRO reformon administratën kokë më vete

24.12.2014 16:51

VMRO-DPMNE dëshiron të reformojë administratën kokë më vete. Pajtim nuk ka as me partnerin shqiptar në qeverisje...

Një pjesë e mirë e propozim-ndryshimeve në Ligjin për Nëpunës Administrativ dhe në Ligjin për të Punësuarit në Sektorin Publik janë të papranueshëm edhe për BDI-në.
 
Edhe pse ligji mori mbështetje në lexim të parë, deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, thotë se do të intervenojë me pesë amendamente në lexim të dytë, në seancën plenare. I papranueshëm është kushti që nëpunësi të ketë certifikatë për njohjen e gjuhës angleze, por edhe sistem për shpërblim dhe dënim të nëpunësve administrativ. 
 
“Ky propozim-ligj është fakt sipas meje, përsëri po e them se ka mangësitë e veta, që unë do të intervenoj me amendamente, për shkak se mendoj se ka mangësitë e veta, por duhet të jemi korrekt, të themi se ka edhe anët pozitive, pikërisht që kanë të bëjnë me përfaqësimin e shqiptarëve dhe bashkësive të tjera etnike. Dhe nuk është kjo gjë të mohohet”- deklaroi Rafis Haliti nga BDI.
 
Për PDSh-në, propozim-ndryshimet janë të papranueshme në tërësi, madje ajo kërkon që vetë ligjet bazë të shfuqizohen dhe të hartohen ligje të reja. Partia opozitare, ka dorëzuar mbi 30 amendamente për përmirësimin e propozim-ndryshimeve, disa nga të cilat gjejnë mbështetjen edhe të deputetëve të BDI-së, por që hidhen poshtë nga përfaqësuesi i qeverisë dhe deputetët e VMRO-së.
 
“Kushtetuta garanton, të dyja janë kategori kushtetuese, edhe gjuha shqipe edhe përfaqësimi i drejtë. Këndej me anë të ligjeve ne ua marrim atë të drejtë në mënyrë shumë taksative, që shqiptarët të mos i gëzojnë këto dy kategori kushtetuese”- tha Orhan Ibrahimi nga PDSh.
 
“Edhe me këto ndryshime, të cilat ju i propozoni si qeveri, d.m.th. VMRO dhe BDI, pasoja do të kemi ndoshta 20 vitet e ardhshme, do të kemi ne si shqiptarë”- theksoi Gazmend Aliu nga PDSh.
 
Përveç kundërshtimeve nga subjektet shqiptare, propozim-ndryshimet kanë hasë në kritika të ashpra edhe nga deputetet e pavarura në opozitë, ndërkaq i gjithë procesi ndodh në periudhë kur opozita maqedonase bojkoton punën e parlamentit.   
 
SHPËTIM NUREDINI