Omikron, vendet po përballen me rritjen e rasteve të reja
Në nivel global vendet po përballen me shtimin e madh të rasteve të reja.....

Në nivel global vendet po përballen me shtimin e madh të rasteve të reja të infektimeve e cila vjen si shkak i llojit Omikron të virusit Korona e që sipas ekspertëve është lehtë i transmetueshëm.
Që nga fillimi i pandemisë 3 mijë viktima janë regjistruar vetëm në Kosovë nga Covid 19 ndërsa numri i të infektuarve deri tani ka arritur në 183 mijë e 689. Gjithsej 19 mijë e 519 mbesin raste aktive.
Kjo rritje e infektimeve ka detyruar 27 shkolla nga 780 prej tyre të kalojnë në mësim online.
Ndërkohë Greqia ka shtyrë masat anti-Covid deri më 7 shkurt. Të gjithë udhëtarët pavarësisht nëse janë të vaksinuar ose kanë qenë të diagnostikuar me COVID-19, janë të detyruar të paraqesin test negativ PCR të kryer brenda 72 orëve ose test të shpejtë antigjen të kryer brenda 24 orëve para udhëtimit. Masa vlen për të rriturit dhe fëmijët mbi 5 vjeç, pavarësisht vaksinimit.
Në Slloveni janë konfirmuar 12,772 raste të reja në 24 orët e fundit numër që ka rrit shqetësimin e autoriteteve për gjendjen në spitale, në veçanti për spitalet ku trajtohen pacientë me sëmundje të rënda.
Edhe Serbia është goditur nga vala më e fortë deri tani e infektimeve të reja. Në këtë vend gjithashtu stafi shëndetësor po ballafaqohet me vështirësi pasi që 1/3 e infermiereve janë prekur nga virusi por fatmirësisht po kalon me simptoma më të lehta.
Mbi 400 viktima regjistrohen në Francë, numri më i lartë që nga prilli derisa nga fillimi i pandemisë janë regjistruar gjithsej 101,723 viktima.
Ndërkohë, janë të vaksinuar 51 milion persona, përkatësisht 75.7% e popullsisë. Belgjika ndërkohë rekomandon dozën e katërt të Covid për personat me imunitet të dobët dhe ata që janë më të rrezikuar nga virusi korona.
Belgjika momentalisht ka miratuar dozën e tretë për personat mbi 18 vjeç. Vendi ka regjistruar 2,830,719 raste dhe 28,835 viktima që nga fillimi i pandemisë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
