Maqedoni

Indeksi i korrupsionit, akuza mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së

26.01.2022 15:21

Publikimi i indeksit të korrupsionit nga “Transparensy Internacional”, ka ndezur sërish akuzat mes partive...

Publikimi i indeksit të korrupsionit nga “Transparensy Internacional”, ka ndezur sërish akuzat mes partive. VMRO-DPMNE thotë se edhe ky raport vërtetoi faktin që vendi ynë mbetet në grupin e shteteve më të korruptuara në Europë dhe për këtë fajtore është LSDM.
 
“Për këtë situatë në të cilën ndodhet Maqedonia, për regjimin hibrid që shkatërroi drejtësinë duke instaluar korrupsion në çdo sferë të shoqërisë, përgjegjësia bie mbi LSDM-në. Kjo qeveri e LSDM-së ka vite që e zhvillon krimin, në vend që ta luftojë atë. Në këtë raport përputhen faktet se Maqedonia është shtet i robëruar. Të përkujtohemi në pasaportat e krimineleve, MPB nuk ka ndërmarrë asnjë aksion për zbardhjen e krimeve, sistemi funksionon mbi principin ryshfet dhe korrupsion, drejtësia është selektive dhe jo e njëjtë për të gjithë qytetarët.”,- tha zëdhënësja e VMRO-DPMNE-së, Marija Miteva.
 
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së. Sipas saj, përparimi prej 24 vende në indeksin e korrupsionit e demanton VMRO-në e cila është simbol i krimit dhe korrupsionit.
 
“Raporti vë në dukje progres në luftën kundër korrupsionit, vlerësim pozitiv në  miratimin e agjendës dhe planit aksional në luftën kundër korrupsionit, reformën zgjedhore dhe gjyqësore, si dhe trajtimin e nepotizmit. Është e qartë se VMRO-DPMNE ka problem me raportin, sepse progresi, ndër të tjera, i detyrohet sundimit joselektiv të ligjit, rasteve të iniciuara dhe aktgjykimeve ndaj zyrtarëve të pushtetit të kaluar dhe atij aktual, gjë që është e papranueshme për partinë opozitare.”,- thuhet mes tjerash në kumtesën e LSDM-së.
 
Në raportin e fundit Maqedonia e Veriut rangohet në vendin e 87, në një grup me Kolumbinë, Etiopinë, Marokon, Tanzaninë dhe Vietnamin, e nga vendet e rajonit radhitet bashkë me Kosovën.
 
GAZMEND KURTISHI