Pr/ligji për qeveri, VMRO-DPMNE kërkon futjen në rend dite

26.01.2022 16:14

Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Qeverinë....

Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Qeverinë, i parashtruar nga grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së nuk u gjet në rendin e ditës të seancës 61. Koordinatori i grupit parlamentar i opozitës së kryesuar nga VMRO, Nikolla Micevski, kërkoi plotësimin e rendit të ditës me këtë pikë, pasi siç tha është propozuar me procedurë të shkurtuar.  

Me propozim ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë hiqen dispozitat që kanë të bëjnë me votimin, përkatësisht mënyrën e funksionimit të Qeverisë, ose të të ashtuquajturës Qeveri të Përzhinës, 100 ditë para zgjedhjeve. Konsiderojmë se heqja e kësaj dispozite, buron nga takimi i liderëve mes kreut të LSDM-së dhe atij të VMRO DPMNE-së, se Qeveria e Përzhinës është jofunksionale, por edhe nga ajo që kemi biseduar me subjektet e tjera politike.”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.          

Xhaferi: Pr/ligji është në përkthim

Kërkesa e VMRO-DPMNE-së u refuzua nga kryepralamentari Talat Xhaferi, me arsyetimin se pr/ligji është në përkthim dhe ende nuk u është dorëzuar deputetëve, gjë që përbën kusht për futjen e një projekt ligji në rend dite.

“Ligji nuk është distribuar te deputetët dhe gjendet në përkthim dhe besoj se shpejt do të përkthehet prej shërbimeve. Procedura ligjvënëse, siç e dini, fillon me shpërndarjen e propozim ligjit deri te deputetët dhe nga ai moment kur të shpërndahet te deputetët fillojnë afatet ligjvënëse. Kështu që për atë arsye nuk ka parakushte për t’u vënë në votim, propozimi.”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.

Xhaferi sqaroi se ligji bazë është miratuar me përkrahjen e katër partive më të mëdha politike dhe konsideron se nismës do t’i bashkëngjiten edhe partitë e tjera, që janë deklaruar pro ndryshimit të Ligjit për Qeveri, përkatësisht kundër qeverisë transitore, 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare. (Shpëtim Nuredini, TVM2)