Shaqiri: Deri në fund të javës, vendim për semestrin e dytë
Ende nuk dihet se si do të nisë më 1 shkurt gjysmëvjetori i dytë....

Ende nuk dihet se si do të nisë më 1 shkurt gjysmëvjetori i dytë, pasi javët e fundit ka rritje të të infektuarve me Covid-19.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, tha se në fund të javës Qeveria do të mbajë mbledhje dhe do të sillet vendim për mësim me prezencë fizike apo online. Shaqiri gjithsesi përkujtoi edhe rekomandimet e UNICEF-it, që kërkon që institucionet arsimore të jenë të fundit që mund të mbyllen.
“Edhe në udhëzimet e para qe ka pasur KSI na ka treguar se, edhe në qoftë se fillojmë me shkollë, fëmijët janë të mbrojtur për arsye se edhe ku nuk janë në mësim ka mundësi që të infektohen nga virusi. Por, kjo nuk do të thotë se është sjell vendimi për periudhën e ardhshme, do të thotë për 1 shkurt, do të duhet të sjellim vendim pasi të komunikojmë me ekspertët. Duhet t’i kemi parasysh edhe rekomandimet e UNICEF-it, që i tha se mbyllja e shkollave dhe institucionet arsimore të jetë vendimi i fundit dhe unë atë e thash se ky vendim që e thash ishte e përkohshme.”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
I pyetur nëse nga 1 shkurti nxënësit kthehen fizikisht në shkolla, a duhet ta mbajnë maskën non stop, Shaqiri tha se për këtë nuk vendos MASH, por Komisioni për Sëmundje Infektive.
“Nuk e vendos unë si ministër, as Ministria. Do të pres udhëzim nga takimi që do të realizohet ditën e enjte dhe të premte me Komisionin për Sëmundje Infektive, vetëm për këtë problematikë. Deri në fund do të respektohen të gjitha rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive.”,- tha ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Teksa pret vendimet për arsimin fillor e të mesëm, ministri Shaqiri ka nisur nga Universitetit Shtetëror të Tetovës, serinë e vizitave në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend. (Visar Sadiki, TVM2)
