Rriten infektimet dhe hospitalizimet, KSI rekomandon rihapjen e qendrave
Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike....

Për shkak të përkeqësimit të situatës epidemiologjike, Komisioni për Sëmundje Infektive dha dritë të gjelbër që të rivihen sërish në funksion qendrat Covid në Klinikën për Sëmundje të Lëkurës dhe të Nefrologjisë, por edhe për një repart të ri në Klinikën “8 shtatori”.
Për momentin në vend ka 573 të hospitalizuar, prej tyre 180 në Shkup dhe 393 në repartet infektive në qytetet e tjera. Nëse gjendja keqësohet, po bëhen gati edhe kapacitete shtesë. Një pjesë e spitaleve do të çojnë personel shtesë në klinikën infektive.
Covid Raporti javor i IShP-së, 29.1% më shumë raste, rriten edhe riinfektimet
Raporti njëjavor i Institutit të Shëndetit Publik shfaq një rritje prej 29.1% të rasteve pozitive. Shkupi vazhdon të kryesojë me infektimet e reja me 52.6 % dhe incidencë më e lartë javore është në Krushevë, 11.1 të infektuar në 100 mijë banorë.
“Raste të reja janë regjistruar te të gjitha grupmoshat, ndërsa numri më i madh u përket 30 deri në 39 vjeç afër 24%. Kemi edhe raste te 40 deri në 49 vjeç me 20 %, rastet mbi 60 vjeç janë 17%. Gjatë javës së kaluar janë 1.599 ri-infektime, apo 25 % më shumë se javën e kaluar. Janë raportuar 97 raste të vdekjeve në 20 qytete, apo 76.4 % më shumë se javën e kaluar. Numri më i lartë i fataliteteve, 38, është në qytetin e Shkupit.”,- tha drejtori i IShP-së, Shaban Memeti.
Nga ISHP thonë se kanë mjaftueshëm teste dhe kapaciteti me metodën PCR është për 2 mijë testime në ditë. Omikron për momentin është variant dominues në vend. Aktualisht ka mbi 20 mijë raste aktive, 60% me variantin e ri.
Për të detektuar mutacionet gjenetike të SarsCov 2 duhet bërë patjetër analizë molekulare, test PCR, pasi testet e shpejta nuk i detektojnë variantet e reja dhe qytetarët që i bëjnë ato, mund të jenë pozitivë por të lehtësuar nga testi i shpejtë negativ, mund të rrezikojnë shëndetin e të tjerëve.
Pra, testohuni në institucionet shëndetësore nëse dyshoni se jeni infektuar me Covid. (Vlora Latifi –Topojani, TVM2)
