Maqedoni
Prokuroria bullgare fajësoi shoferin, PThP pret dokumentet zyrtare për “Besa trans”
26.01.2022 17:23
Për aksidentin e rëndë në Bullgari ku jetën e humbën 45 shtetas...

Për aksidentin e rëndë në Bullgari ku jetën e humbën 45 shtetas të Maqedonisë së Veriut, Prokuroria bullgare shpalli fajtor shoferin, i cili sipas tyre, nuk ka qenë në gjendje të përshtasë shpejtësinë e autobusit me kushtet e motit dhe gjendjen e asaj pjese të autostradës, familjarët e viktimave presin vendimin gjyqësor për inspektimin e materialeve të grumbulluara nga hetuesit bullgarë, që do t’u mundësonin më pas edhe ngritjen e padive civile në Bullgari.
“Shkak i aksidentit është humbja e kontrollit mbi autobusin nga shoferi. Por, edhe shpejtësia e madhe dhe e papërshtatshme, mbi normat e lejuara. Kjo është një tragjedi njerëzore pa presedan për numrin e viktimave, por edhe pa presedant, si intensitet i punës që e kemi kryer. Hetimi është kryer dhe mbetet vetëm që në rrugë gjyqësore të njoftohen autoritet në Maqedoni, por edhe familjarët e viktimave kanë të drejtë të njihen me materialet e hetimit.”,- tha zëvendësprokurori bullgar, Borislav Sarafov.
Prokuroria Publike vazhdon ndërkohë procedurën parahetimore në lidhje me veprimtarinë e Kompanisë “Besa Trans” dhe organizimin e udhëtimeve turistike nga e njëjta. Por, edhe këto procedura po stërzgjaten.
“Janë dhënë të gjitha urdhrat deri tek të gjitha institucionet përkatëse në lidhje me procedurën parahetimore për kompaninë “Besa Trans”. Kur ata zyrtarisht do t’u përgjigjen këtyre kërkesave në afat prej 30 ditësh dhe pasi që do t’i dokumentojmë përgjigjet zyrtare, atëherë do të dalim me qëndrimin tonë dhe hapat e mëtejshme që do t’i ndërmarrim për këtë rast.”,- u shpreh prokurori, Gavril Bubevski.
Në aksidentin në Bullgari jetën e humbën 45 persona që po ktheheshin nga Turqia ku kishin shkuar për pak ditë përmes një oferte turistike të lirë të Kompanisë “Besa Trans”. Vetëm 7 persona i mbijetuan tragjedisë së rëndë.
REXHEP QAMILI
