Maqedoni

ShVZ “Bajram Miftari”, informon qytetarët për rrezikun nga zjarret

24.12.2014 18:02

Përhapja e zjarreve kohët e fundit nëpër institucione dhe nëpër ndërtesa, duket se ka sensibilizuar autoritetet të ndërmarrin masa për të informuar qytetarët se si të mbrohen nga zjarret...

Shoqata Vullnetare Zjarrfikëse “Bajram Miftari”, ka shpërndarë fletushka për të informuar qytetarët se si të mbrohen nga zjarret dhe se si duhet të kenë kujdes banorët gjatë përdorimit të mjeteve ngrohëse gjatë dimrit.  
 
“Është një mënyrë që qytetarët e Komunës Çair, por edhe në përgjithësi të gjithë qytetarët të fitojnë një edukatë zjarrfikëse, të kenë njohuri më tepër në përdorimin e zjarrit dhe në mbrojtjen kundër zjarrit”- deklaroi kryetari i ShVZ-së “Bajram Miftari”, Nuredin Mustafa.
 
“Ne po i shpërndajmë këto fletushka për mënyra të ndryshme se si të mbrohemi nga zjarri gjatë kohës së dimrit”- tha një anëtar i ShVZ-së “Bajram Miftari”.
 
“Po u shpërndajmë fletushka qytetarëve për t’i informuar se si të veprojnë me zjarret, pa marrë parasysh se me çfarë ngrohen”- theksoi një  anëtare e ShVZ-së “Bajram Miftari”.
 
Qytetarët  vlerësojnë  se ata ndihen të rrezikuar nga zjarret, e sidomos në kohën e dimrit dhe aksionet e këtilla janë shumë fitimprurëse për ta.
 
“Po qëndrojmë këtu para një aksioni shumë të mirë, ku duhet që çdo qytetarë të njoftohet me organizimin e zjarreve, sidomos koha tani është dimër, dihet, disa shfrytëzojnë dru, disa rrymë elektrike, disa punojnë me paleta dhe duhet të dinë se si të mbrohen nga zjarri”- u shpreh një qytetar.
 
“Duhet të organizohen aksione për të na informuar si të ruhemi nga zjarri. Ne jemi të rrezikuar aq shumë, saqë nuk e besoj që kaq i rrezikuar është ndonjë vend tjetër. Instalimet elektrike janë për askund, ndërtesat janë të vjetra”- tha një qytetar.
 
Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve “Bajram Miftari”, në të ardhmen do të  vazhdojë me kurset edhe nëpër shkolla, për t’i informuar nxënësit për masat mbrojtëse nga zjarri. 
 
ERSAN PAJAZITI