Maqedoni

Funksionimi i qeverisë, opozita shqiptare vlerëson të dështuar ekzekutivin

26.01.2022 18:21

Opozita shqiptare skeptike në realizimin e top prioriteteve të qeverisë sikurse menaxhimin me krizat shëndetësore...

Opozita shqiptare skeptike në realizimin e top prioriteteve të qeverisë sikurse menaxhimin me krizat shëndetësore, energjetike dhe rritjen e standardit të jetesës. Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Adnan Neziri, në emisionin “Argument” në TVM2 thotë se qeveria nuk ka kapacitet të ofrojë zgjidhje për tejkalimin e këtyre problemeve, në mungesë të legjitimitetit.
 
“A mund të zgjedhin? Jo, nuk mund të zgjedhin, për shkak se ne jemi dëshmitarë sa i përket sferës shëndetësore. Sa i përket sferës energjetike, shpeshherë tentohet të arsyetohet me krizën globale, mirëpo Maqedonia dihet se çfarë probleme energjetike ka, dihet se përherë është e varur nga importi i energjisë elektrike dhe rreziku ishte që në maj ku patëm ulje të TVSh-së dhe rritje të çmimit, ku kishte parametra të rritjes së çmimit.”,- tha deputeti i ASh-së, Adnan Neziri.
 
Për humbje të legjitimitetit me ASH-në dakordohen edhe nga Lëvizja Besa, të cilët kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
 
“Të shpalleshin zgjedhjet e parakohshme, të ofrohet një ofertë e re politike, e cila do të marrë përgjegjësinë edhe legjitimitetin. Mendoni ju se me këtë fragjilitet koalicioni që ka, me deputetë të kontrabanduar do të arrijë LSDM të zgjidh problemin e çështjes së emrit kaq me peshë, kaq me rëndësi dhe kaq të ndjeshëm që është. Absolutisht nuk ka asnjë shans.”,- u shpreh përfaqësuesi i Lëvizjes Besa, Binas Pajaziti.
 
BDI: Kemi kapacitet për realizimin e synimeve, 100 ditë qeveri teknike
 
Nga BDI kërkojnë që mos të hutohen qytetarët duke kontestuar legjitimitetin që kanë. Sipas tyre, qeveria ka kapacitet të përmbush synimet.
 
“Këtu mos dërgoni mesazhe kot te qytetarët, sepse qeveria e merr mandatin me 61 deputetë. Besoj se do t’ia dalim që të menaxhohen këto probleme dhe rritja e standardit të qytetarëve është një domosdoshmëri për shkak të nevojës që e shohim dita ditës se qytetarët duan një jetë më të mirë dhe këto janë detyra të qeverisë për të cilat ne si deputetë duhet t’iu rrimë mbi kokë.”,- theksoi deputetja e BDI-së, Arta Bilalli Zendeli.
 
Opozita shqiptare e ndarë ndaj iniciativës së VMRO-së
 
Opozita shqiptare e ndarë rreth 100 ditëshit të qeverisë teknike, për të cilën VMRO-DPMNE ka ngritur iniciativë për ta shfuqizuar. ASH edhe pse konsideronte si të panevojshëm formimin e qeverisë së Përzhinës, së fundmi është prononcuar kundër shfuqizimit. Ndërkaq nga Lëvizja Besa thonë se vendi s’ka nevojë për kryeministra teknik.
 
Edhe nga BDI konsiderojnë se Maqedonisë së Veriut si vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për në BE nuk duhet ti shtohen doza dyshimi në funksionimin e institucioneve me formimin e qeverisë teknike 100 ditë para zgjedhjeve.
 
MERAL ISMAILI