Nuredini: Përdorimi i qeseve plastike është ulur për 10 herë
Është ulur për 10 herë përdorimi i qeseve të plastikës që nga hyrja në fuqi e ligjit që ndalon përdorimin e tyre...

Ministri i ekologjisë, Naser Nuredini, informoi se mbi 14 milion denarë janë mbledhur në muajin dhjetor nga shitja e qeseve biodegraduese.
Sipas ligjit në fuqi, qeset në markete paguhen 15 denarë. Këto mjete duhet të evidentohen dhe të transferohen në fond të posaçëm të Ministrisë për Ambient Jetësor dhe planifikimit hapësinor.
“Në marketet ku më parë qeset kanë qenë pa pagesë kemi ulje deri në dhjetëfish te ato markete. Te marketet ku qeset kanë qenë një denarë apo 2 denarë, ka ulje deri në katër herë më pak. Tash kur i kemi këto të dhëna, do të bëjmë program për investimin e këtyre mjeteve që t’i kthejmë prapë tek qytetarët dhe do të shkojnë kryesisht për selektimin e mbeturinave në shtetin tonë, që të ulim sasinë e mbeturinave dhe të fillojmë me riciklimin e mbeturinave.”,- tha ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
Megjithatë, ka ende shitore të cilat nuk respektojnë ligjin për shitje të qeseve të plastikës për 15 denarë. Këtë e pranon edhe ministri Nuredini, i cili tha se kryesisht tregjet e gjelbra nuk respektojnë këtë ligj. Paralajmërohen kontrolle të rrepta.
“Kemi vërejtje që ka disa markete ose tregje të gjelbra ku akoma nuk funksionon si duhet. Ideja është që të bisedojmë edhe me inspektoratin e tregut që të ketë kontrolle më të shpeshta.”,- theksoi ministri i ambientit jetësor, Naser Nuredini.
Ligji për Ndalesë të Përdorimit të Qeseve të Plastikës u soll më 1 dhjetor për të parandaluar përdorimin plastikës dhe në këtë mënyrë për të parandaluar ndotjen e ambientit.
BELINDA KOKA ADEMI
