Maqedoni

LSDM: Kryetarët e komunave të VMRO-së dështuan

27.01.2022 15:31

LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë akuzuar njëra-tjetrën për zgjedhjet e tyre të gabuara kadrovike...

LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë akuzuar njëra-tjetrën për zgjedhjet e tyre të gabuara kadrovike dhe keqpërdorimin e fondeve publike. Sipas LSDM-së, kryetarët e komunave të  VMRO DPMNE-së, në tre muajt e parë të qeverisjes, nuk kanë realizuar asnjë projekt në interes të qytetarëve.
 
Akuzuan kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, se në preiudhw krize energjetike ka lënë kryeqytetin pa ngrohje qendrore. Sipas LSDM-së kryetarët e komunave nga radhët e VMRO DPMNE-së, vetëm kanë ndërprerë projektet e paraardhësve të tyre nga radhët e LSDM-së.
 
“Në çdo komunë të kryesuar nga VMRO DPMNE ka kthim pas dhe mospunë. Në vend të projekteve dhe zgjidhjeve, kryetarët e komunave nga radhët e VMRO DPMNE-së injorojnë nevojat e qytetarëve dhe frenojnë zhvillimin e komunave. Qytetarët dhe komunat nuk meritojnë kryetarë të tillë të papërgjegjshëm dhe të paaftë.”,- tha Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
VMRO: Para shtetit përfundojnë në zyrën e Vançevës
 
Nuk u kursye as VMRO DPMNE në akuzat ndaj zyrtarëve të lartë të LSDM. Në shënjestër deputetja Snezhana Kalevska Vançeva. Sipas VMRO-DPMNE-së, zyra e avokatëve e deputetes Kalevska ka përfituar para publike nga pesë institucione shtetërore. 
 
“Ministria për Arsim dhe Shkencë, Agjencia Nacionale për Programe Arsimore Evropiane, Agjencia për Energjetike, Qendra Studentore Shtetërore dhe Agjencia për Investime të Huaja janë institucionet nga të cilat kjo shoqëri avokatësh e Snezhaka Kalevska Vançevës ka inkasuar 55 mijë euro.”,- u shpreh Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE.
 
VMRO-DPMNE ftoi Komisionin për Parandalim të Korrupsionit që të hap procedurë për rastin konkret, pasi dyshon se bëhet fjalë për korrupsion dhe keqpërdorim të parave publike. 
 
SHPËTIM NUREDINI