Maqedoni
LSM: Të rritet paga minimale, ose punëtorët në grevë
27.01.2022 16:08
Nëse nuk do të rritet paga minimale në 18 mijë denarë dhe nuk do të ketë rritje të përshkallëzuar të pagave tjera...

Nëse nuk do të rritet paga minimale në 18 mijë denarë dhe nuk do të ketë rritje të përshkallëzuar të pagave tjera, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë paralajmëron grevë të punëtorëve. Nga sindikatat thonë se rrogat duhet të rriten sa më shpejtë, pasi me rrogat e tanishme, faturat e shkurtit nuk paguhen me pagën minimale prej 15.200 denarë, të cilën e marrin 110 mijë punëtorë.
“Të premten i thërrasim të gjitha organet në nivel më të lartë të lidhjes së sindikatave të Maqedonisë, ku nuk kemi nevojë për shqetësim, gjithçka është sipas ligjit për marrëdhënie pune dhe do ti aktivizojmë Këshillat grevist nëse kjo që nuk ndodh në mbledhjen e qeverisë, ajo është rritja e pagës minimale dhe rritje e përshkallëzuar e të gjitha pagave tjera në përputhje me marrëveshjet kolektive si dhe regres për të gjithë të punësuarit në sektorin publik sipas principit siç është në sektorin privat.”,- deklaroi kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë së Veriut, Darko Dimovski.
Sipas analizës së përgatitur, rritja e pagës minimale nuk do të ketë efekt negativ te kompanitë. Përkundrazi, punëtorët do të jenë më të motivuar dhe do të rritet produktiviteti i tyre, paralelisht me profitin e kompanive.
“Për sigurimin e një punë adekuate me interes të madh është edhe paga e denjë, e cila duhet të jetë rrogë e mjaftueshme për jetë, e jo rrogë për mbijetesë”.
MPPS: rritje do të ketë, por nuk saktësohet kur
Nga ana tjetër, ministrja e politikës sociale, Jonava Trençevska, u shpreh se paga minimale do t rritet, por pa konkretizuar se kur do të ndodh kjo. Sa i përket thirrjes të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë për grevë gjithëpërfshirëse, ministrja tha se të hënën do të diskutohet kjo çështje.
“Të hënën do të kemi mbledhje së bashku me zëvendëskryeministrin Bytyqi dhe ministrin e ekonomisë, me sindikatat në lidhje me paralajmërimin e LSM-së. Do të diskutojmë. Thamë se programi për rritje të pagës minimale do të miratohet në afat sa më të shpejtë të mundshëm. Këtë çështje do ta hapim të hënën dhe shpresoj se do të jetë në të mirë të punëtorëve.”,- u shpreh Jovana Trençevska nga MPPS.
Trençevska tha se debat me ekspert do të thirret edhe për kërkesën e shoqatave të pensionistëve për ndryshimin e metodologjisë së llogaritjes së lartësisë së pensionit.
ERSAN PAJAZITI
