Pendarovski: BE po merret me veten ka lënë anash zgjerimin
Bashkimi Evropian viteve të fundit...

Bashkimi Evropian viteve të fundit është përqendruar në problemet e brendshme, duke lënë anash procesin e zgjerimit, vlerëson shefi i shtetit, Stevo Pendarovski. Ai thotë se megjithatë, vendi mban në nivel kursin e jashtëm politik, por në të njëjtën kohë ballafaqohet me rënien e besimit të qytetarëve ndaj BE-së.
“Të jemi real dhe nëse jemi real duhet të themi se BE është akoma e kthyer nga vetja. Ka probleme strukturore, debate, vështirësi se si duhet të jetë e ardhmja e Evropës… Nevojitet rritje e angazhimit në Ballkan, sepse këtu puna është larg të përfunduarës. Flas për atë që duhet të jetë kontributi i tyre, jo për pjesën që duhet ta bëjmë ne… Në raport me Bullgarinë, bëhet fjalë vetëm për fazë fillestare, ku të dyja palët tregojnë dëshirat se si do të donin procesi të zhvillohet. Pra, jemi larg fazës së thellimit dhe larg procesit përfundimtar, eventualisht.”,- tha kryetari i shtetit, Stevo Pendarovski.
Gir: Bisedimet me RMV dhe Shqipërinë prioritet i BE-së
Pavarësisht problemeve të brendshme në union, nuk lëkundet strategjia për integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, thotë euroambasadori, Dejvid Gir. Inkurajon Shkupin dhe Sofjen për arritjen e një kompromisi në mosmarrëveshjet.
“Fillimi i bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, mbetet prioritet i lartë i BE-së. Fokusi është vënë në arritjen e kornizës negociuese mes vendeve anëtare të BE-së, së derisa Shkupi dhe Sofja përpiqen të tejkalojnë kontestin. Inkurajojmë edhe Sofjen edhe Shkupin që t'i vazhdojnë hapërimet, të gjejnë zgjidhje të përbashkët për çështjet e hapura.”,- theksoi euroambasadori, Dejvid Gir.
Bomgartner: Të qartësohen perspektiva e vendeve të Ballkanit
Kemi përgjegjësi për vendet e Ballkanit Perëndimor, thotë ambasadori francez, Bomgartner. Ai ka përshtypjen se mund të përsëritet historia në rajon, po që se nuk kundërshtohen forcat e treta që kanë për qëllim destabilizimin e Evropës.
“Nuk do të mund të ndërtohet Evropë e paqes në 50 vitet e ardhshme nëse i lëmë vendet e Ballkanit në situatën e sotshme. Duhet të qartësohet perspektiva e tyre evropiane, të investojmë dhe të kemi ambicie të përbashkëta në dekadat e ardhshme.”,- u shpreh ambasadori i Francës në Shkup, Siril Bomgartner.
Mariçiq dhe Isaku: Presim nga BE sinjalin e shpresës
Kemi realizuar detyrat tona. Presim nga Bashkimin Evropian, në veçanti nga Franca dhe Gjermania të na japin sinjalin e shpresës, thonë udhëheqësit e euro integrimeve dhe politikës së jashtme të vendit.
“Sinqerisht pres nga presidenca franceze sinjale pozitive dhe përkushtim në çështjen e integrimit të Ballkanit në BE, që njëherit do të ketë rëndësi në aspektin gjeopolitik dhe të sigurisë së BE-së.”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
“Bashkimi Evropian duhet të jetë më e sinqertë për atë se ku e sheh Ballkanin Perëndimor. Qeveria e re angazhohet në realizimin e reformave në fusha me rëndësi… Bëjmë gjithçka që është në mundësitë tona që të gjejmë zgjidhje me Bullgarinë nën frymën e fqinjësisë së mirë, që të fillojmë bisedimet, pa humbur kohë.”,- tha zëvendësministrja e jashtme, Fatmire Isaku.
Milloshovski: Kujdes në përgjigjet ndaj kërkesave të Sofjes
Ndërkohë, opozita maqedonase kërkon nga pushteti të jenë të kujdesshëm në përgjigjen e kërkesave të Sofjes, në raport me kontestin dypalësh.
“VMRO-DPME vlerëson se kushtetuta nuk duhet të jetë monedhë për "kusur" në secilin mospajtim politik me cilindo fqinj dhe vlerësoj se në këtë çështje duhet të jemi më konvencional dhe mos shpejtojmë me premtime, të cilat Kovaçevski i jep shumë lehtë, duke dëmtuar edhe pozicionet negociuese të RMV-së.”,- tha kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, Antonio Milloshovski.
Këto komente u bënë në debatin me temë: Qasja e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, tregim i pambaruar, qëndrimi i kursit të politikës së jashtme të RMV-së", organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
