Maqedoni

Nxënësit në shkollë me prani fizike, Sali: Skreening-u me përzgjedhje të rastësishme

28.01.2022 15:08

Nxënësit do të kthehen në shkollë më 1 shkurt. Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali....

Nxënësit do të kthehen në shkollë më 1 shkurt. Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, konfirmoi se mësimi në gjysmën e dytë të vitit do të vazhdojë me prani fizike përkundër rritjes së numrit të të infektuarve me llojin e ri Omicron. Sali njoftoi se kurba e infektimeve ka filluar të bie dhe se nuk ka nevojë për masa shtesë.  Pret stabilizim të situatës epidemiologjike ditëve në vazhdim. Ministria e Shëndetësisë njoftoi se do të bëhen testime pas përzgjedhjes së rastësishme të fëmijëve dhe në varësi të kësaj do të merren edhe masa të reja.

“Për momentin nuk ka nevojë për mësim online sepse situata epidemiologjike ndryshon çdo javë dhe në bazë të këtyre të dhënave ne marrim vendime. Kjo do të thotë se nga 1 shkurti do të fillojë prania fizike në shkolla dhe ne si ministri do të marrim masa parandaluese me skriningje  dhe varësisht nga rajoni, qyteti apo komuna, nëse shfaqet epidemia, do të merren masa.”, tha Bekim Sali, ministër i shëndetësise.
 
Situata me Covid-19, Sali: Numri i infektimeve po shënon rënie 
 
Numri i vdekjeve nga Covid në Maqedoninë e Veriut, sipas ministrit Sali, duket i lartë pasi sipas metodologjisë së regjistrimit, çdo pacient I vdekur pozitiv me Covid-19 regjistrohet si i vdekur me virusin korona, megjithëse kjo nuk do të thotë se vdekja ka ardhur si pasojë e infektimit.
 
“Sipas të dhënave në bazë ditore pandemia në vendin tonë ka filluar të ulet ,cdo ditë kemi zvogëlim të numrit të të infektuarve dhe të personave të hospitalizuar dhe shpresoj se për një periudhë  më të shkurtë nuk do të ketë nevojë për masa shtesë.”, tha Sali.
 
Sa i përket vendimit qeveritar për karantinim të personave të infektuar me Covid-19  Sali shpjegoi se personat duhet të kontaktohen nga mjeku amë në ditën e shtatë, nëse nuk kanë simptome të njëjtit mund të dalin nga karantina, në të kundërtën,  masa e izolimit vazhdohet për tre ditë. Ministri Sali premtoi gjithashtu se do të bisedojë me laboratorët privatë dhe Fondin e Shëndetësisë për çmimet e larta që qytetarët paguajnë për testet Covid dhe shërbimet laboratorike.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI