ASH Kërkon përgjegjësi për rastin e Rexhailit
Aleanca për Shqiptarët kërkon....

Aleanca për Shqiptarët kërkon hetimin e rrethanave në të cilat ndërroi jetë Rexhail Qerimi, i dënuar për rastin Alfa si dhe përgjegjësi nga Drejtori i drejtorisë së burgjeve dhe drejtori i burgut të Idrizovës, por edhe përgjegjësi politike nga ministri i Drejtësisë dhe zëvendësi i tij.
“Përveç kësaj, personat e lartëpërmendur si dhe gjykatësit e prokuroria duhet të mbajnë përgjegjësi bashkë me ata që montuan këtë rast. Urgjentisht duhet të thirret seanca dhe në bazë të ekspertizës së pavarur të konfirmohet pafajsia e të akuzuarve në rastin Alfa, si dhe të dëmshpërblehet familja Qerimi edhe pse nuk ka çmim që atyre ua kompenzon humbjen dhe dhimbjen.” – tha Naim Bajrami nga ASH.
Aleanca për Shqiptarët kërkon revizion ndërkombëtar për të gjitha rastet e montuara dhe rishikim të sistemit të drejtësisë.
Për rastin në fjalë është interesuar edhe Avokati i Popullit, i cili ka dërguar ekip të posaçëm për të shqyrtuar arsyet dhe rrethanat në të cilat ka ndërruar jetë Rexhail Qerimi.
AP: Vdekja s’është nga ndonjë sulm i dhunshëm
Sipas informacioneve të AP, i burgosuri ka ndërruar jetë nga përkeqësimi i gjendjes shëndetësore duke përjashtuar mundësinë për dhunë ose vrasje.
“Diku në mes të rrugës pra është bart nga vetura zyrtare e burgut në autoambulancë por fatkeqësisht pas 10 minutave ekipi i ndihmës së shpejtë ka konstatuar. Në ndër kohë është informuar MPB, hetuesia dhe prokurori dhe është konstatuar se vdekja nuk është si rezultat i ndonjë sulmi të dhunshëm por si rezultat I keqësimit të gjendjes shëndetësore të personit në fjalë.” – u shpreh Avokati i Popullit, Naser Zyberi.
Rexhail Qerimi është i dënuar për rastin “Alfa” së bashku me Agim Islamin, me dënim të përjetshëm.
Rasti “Alfa” ndodhi më 26 nëntor 2008, në parkingun e Fakultetit matematiko-natyror në Shkup, ku jetën e humbi një polic nga njësiti “Alfa”, ndërsa të tjerë u plagosën. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
