77 vite në gjuhën shqipe, drejtuesit e programit: Të implementohet ligji për program 24 orë
Më 28 janar të viti 1945 për herë të parë u dëgjua në etër fraza shqipe....

Më 28 janar të viti 1945 për herë të parë u dëgjua në etër fraza shqipe “ Ju flet Radio Shkupi”. Për gjuhën shqipe ishin në dispozicion vetëm 3 orë e 15 minuta. Nëpër vite, gjuha shqipe zinte vend më të madh në program.
Pas vitit 2001 Radio Shkupi-shqip, emeton 17 orë. Drejtuesit e programit kërkojnë implementimin e ligjit për program të plotë në gjuhën shqipe.
“Prej atëherë edhe sot e kësaj dite ka mbetur me program 17 orë që emetojmë i ndarë në tre pjesë, kjo na penalizon që të jemi në hap me kohën. Kërkesa e vetme është që programi të zgjerohet në 24 orë. Urojmë dhe besojmë që viti i ardhshëm të na gjejë me plot 24 orë që të jemi sa më afër dëgjuesit dhe kërkesave programore” – tha Emine Gina, Redaktore e edicioneve informative.
Producenti kryesor i Radio Shkupit thotë se nevojiten hapësira shtesë që të emitohet 24 orë program shqip.
“Është vullneti i institucioneve për të krijuar hapsira fillimisht, një studio sepse jemi në një studio të përbashkët me programet e etniteteve të tjera. Mundohemi t’i mbulojmë të gjitha fushat me emisone të ndryshme të cilat i realizojnë redaksia jonë dhe gazetarët tanë. Mundohemi prapë në atë hapsirë që e kemi ti kemi të gjitha sferat të përfshira në Radio Shkup” – u shpreh Producenti kryesor, Nexhmedin Shaqiri.
Kjo radio kohën e fundit emisionet i ka të hapura-kontaktive në të cilat përfshihen të gjitha sferat nga jeta e përditshme. Pritet që Radio Shkupi së shpejti të digjitalizohet tërësisht dhe të emitohet 24 orë program në gjuhën shqipe. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)
