Mustafa bën thirrje të mos lëshohet Kosova
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i bën thirrje qytetarëve që të mos ikin nga vendi...

“Premtoj se do të punoj me përkushtim që qeveria të hapë perspektivë për zhvillim ekonomik dhe punësim në vendin tonë, në qytetet e në fshatrat tona, sepse ardhmërinë tonë duhet të ndërtojmë këtu”.
Mustafa thotë se Kosova është më e sigurt sesa kampet e azilantëve në Hungari, Francë, Austri, Gjermani e gjetiu.
“Shtëpitë tona këtu janë më të mira e më të dinjitetshme sesa tendat dhe dyshekët në halla sportive e në fusha. Ju i keni fituar me mund e djersë paratë dhe pasurinë, për t’ua dhënë matrapazëve dhe ndërmjetësuesve shqiptarë e serb, të cilët me dëshirë do ta boshatisnin Kosovën për interesa të tyre, ashtu siç serbet i bënë bosh shumë pjesë shqiptare gjatë historisë sonë”- shkruan ai.
Kryeministri i Kosovës pranon se ka mjaftë probleme për t’u zgjidhur, por thotë se ato nuk do t’i zgjidhin duke ikur nga to dhe duke e marrë botën në sy, por duke u ballafaquar me to. “Programi ynë qeverisës dhe përkrahja që e kemi nga komuniteti ndërkombëtar krijon mundësi për hapje të vendeve të punës për të rinjtë, për shkollim më të mirë e perspektivë të gjeneratave të reja. Jam i bindur se së shpejti mund të kemi liberalizimin e vizave dhe njerëzit tanë do të dalin e do të shohin botën, të lirë si të tjerët, pa shitë shtëpi, tokë e bagëti dhe do të kthehen të punojnë në vendin e tyre dhe në pronat e tyre”- thotë Isa Mustafa.
