Komuna e Çairit do të asfaltojë rrugën në Serovë
Përgjegjësia për mosasfaltimin sipas standardeve të rrugës në lagjen Serovë pas vendosjes së gypave të kanalizimit i takon Kompanisë “Energomont”, deklaroi këshilltari i Qytetit të Shkupit, Qemal Musliu....

Ai sqaron se projekti është realizuar nga ndërmarrja “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, të cilës i ka takuar edhe asfaltimi i rrugës.
“Projekti për rikonstruimin e kanalizimit fekal është projekt i NP-së “Ujësjellësi dhe kanalizimi”, i cili në bazë të tenderit ia dha ta realizojë Ndërmarrja “Energomont”. Ata e kryen rikonstruimin e kanalizimit fekal, por po shihet qartë se asfaltimin, që është dashur të kryhet, nuk është bërë në mënyrë profesionale. Qytetarët e kësaj lagje me të drejtë reagojnë, ne erdhëm në vend dhe konstatuam se asfaltimi nuk është bërë në mënyrë profesionale”- deklaroi këshilltari në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu.
Pas pakënaqësisë së shprehur nga banorët e kësaj lagje, Komuna e Çairit ka marrë përsipër asfaltimin e rrugës në pranverë, pasi të vendosen edhe gypat e ujësjellësit, konfirmojnë zyrtarët komunal dhe banorët.
“Ne si komunë kemi bërë marrëveshje, do të thotë jemi ulur me qytetarët e kësaj rruge, që në pranverë të bëjmë edhe rekonstruimin e rrjetit të ujësjellësit. Pasi ta bëjmë rekonstruimin e ujësjellësit, atëherë do të bëhet edhe asfaltimi i tërësishëm i rrugës. Për shembull ne kemi bërë rekonstruimin e rrugëve në lagjen e Gazibabës, kemi bërë ndryshimin e infrastrukturës rrugore dhe më pas kemi bërë edhe asfaltimin”- tha udhëheqësi i Sektorit për Urbanizëm–Çair, Xhengis Hani.
“Biseduam që së pari të sjellin ujësjellësin, sepse gypat janë krejt të kalbur, rrjedh uji në të gjitha anët, tani me asfaltuar, kot, se krejt uji rrjedh”- u shpreh një banor.
Njëherit, këshilltari Musliu thotë se për asfaltimin jocilësor në rrugën “Mesta 48”, në lagjen Serovë, do të kërkohet përgjegjësi nga Kompania “Energomont”. (Gyltene Sinani, TVM2)
