Maqedoni

Grubi: Mirë që opozita është pro hapjes së kushtetutës

29.01.2022 18:13

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimet e Kushtetutës gjithsesi se do të bëhen me konsensus dhe këto propozime është mirë që të hidhen në tryezë...

Ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe ndryshimet e Kushtetutës gjithsesi se do të bëhen me konsensus dhe këto propozime është mirë që të hidhen në tryezë të partive politike dhe jo në media në qoftë se dëshirojnë të kenë sukses, thot Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi duke komentuar kërkesën e opozitës për uljen e numrit të deputetëve dhe një zonë zgjedhore. Ai ka kushtëzuar hapjen e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut e cila pritet të bëhet për të përfshirë brenda saj komunitetin bullgar, si një nga kushtet për zgjidhjen e kontestit Shkup – Sofje. Grubi thotë se nëse hapet Kushtetuta, do të hapen edhe çështje të tjera duke përfshir këtu edhe heqjen e 20% për përdorimin e gjuhës shqipe.
 
“Më gëzon fakti se opozita maqedonase ka gatishmëri për të hapur Kushtetutën, me ç’rast, gjithsesi, edhe ne kemi tema tjera që duhet të përfshihen në këto ndryshime kushtetuese siç është kontesti me Bullgari, apo përfshirja e komunitetit bullgar, kroat, malazez dhe gjithë të tjerët apo edhe heqjes së kufizimit prej 20% për përdorimin e gjuhës shqipe.”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.
 
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për propozimin për shfuqizimin e qeverisë së përkohshme, Grubi tha se e mbështet atë dhe se kjo çështje nuk do të ndikojë në idenë e një kryeministri shqiptar.
 
“Ne e kemi elaboruar këtë çështje, e kemi përkrahur dhe është rënë dakord mes nesh dhe LSDM-së para zgjedhjeve të vitit 2020 dhe më vjen mirë që VMRO-DPMNE-ja i bashkohet kësaj nisme tonën që e kemi nënshkruar në marrëveshjen e koalicionit. Nuk cenon në asnjë mënyrë idenë e kryeministrit shqiptar, sepse kemi pasur marrëveshje me LSDM-në pa qeveri teknike me një kryeministër politik shqiptar.”, tha Grubi.
 
 I pyetur edhe reth vdekjes së Rexhail Qerimit, dhe rastit Alfa  Grubi thotë se BDI po ndihmon aq sa mundet që me dëshminë e re që u sigurua nga ekspertiza të fillojë rigjykimi. 
 
“Nuk bëhet fjalë për hiprokrizi se askush nuk ia dëshiron vdekjen dikujt tjetër dhe askush aq më pak dëshiron që dikush të jetë i pafajshëm në burg. Janë thjesht pushtete të ndara dhe janë vendime të gjyqësorit dhe prokurorisë. Ne atë çfarë po bëjmë është të ndihmojmë me dëshminë e re që të mundësojmë rigjykimi dhe të dëshmohet pafajësia apo edhe fajësia në qoftë se kanë pasur.”, tha Grubi.
 
Grubi komentoi edhe njoftimin e Besës se Fatmir Limani, dikur pjesë e BDI-së, i është bashkuar Besës.  Ai thot se është e drejt legjitime e gjithsecilit të vendos se ne cilen parti deshiron te jete. 
 
SANIJE DURAKU