Studentët nesër në protesta
Plenumi Studentor vazhdon të kundërshtojë provimin shtetëror për studentët, prandaj ka ftuar për nesër protestën e tretë me radhë, e cila do të mbahet para qeverisë....

Nga Plenumi Studentor vlerësojnë se reformat e paralajmëruara nga qeveria janë të varfra, prandaj ftuan për pjesëmarrje në protestën e nesërme nxënësit dhe qytetarët në përgjithësi.
“Ne studentët të fitojmë përsëri arsimin tonë. Kjo është koha për të shprehur zemërimin jo vetëm kundër reformave të këqija, por edhe sepse shteti pa turp na injoron dhe tallet me ne. Të dëshmojmë se zëri i studentit nuk njeh barrierat politike dhe nacionale dhe të dëshmojmë se ne studentëve sa më shumë na bëjnë shtypje, aq më të fuqishëm bëhemi”- deklaroi studenti, Goran Tanevski.
Protestës i është bashkëngjitur edhe Unioni Studentor Shqiptar.
“Edhe pas gjithë këtyre debateve publike, shkeljen e vetëdijshme të ligjeve, si dhe injorimit total të vetë universiteteve, ne studentët nga të gjithë universitetet në Maqedoni nuk do të dorëzohemi. Mos të lejojmë që ky monolog i qeverisë të vazhdojë! Ta kthejmë arsimin në duart tona, ky është moment kur duhet të shprehim revoltën tonë jo vetëm për reformat joadekuate, por edhe për shkak të asaj se shteti ynë pa turp na injoron me arrogancë”- tha Daim Luçi nga Unioni Studentor Shqiptar.
Ndërkohë edhe nga Partia për Ripërtëritje Demokratike të Maqedonisë e Liljana Popovskës, që është pjesë e koalicionit qeveritar, propozuan shtyrjen e miratimit të Ligjit për Arsimin e Lartë, për të siguruar debat të gjerë publik dhe të marrin në konsideratë argumentet e nxënësve dhe mësuesve. (Sanije Kasami, TVM2)
