Shqipja, “e vështirë” për t’u artikuluar në meshën në Shkup

25.12.2014 16:19

Me një ceremoni madhështore fetare, besimtarët katolikë shënuan mbrëmë “Lindjen e Krishtit”....

Mosangazhimi i një prifti shqiptar dhe mungesa e përdorimit të gjuhës shqipe në këtë eveniment mjaft të rëndësishëm për komunitetin katolikë shqiptarë, zëvendësohet me liturgji në serbo-kroatisht dhe predikim në maqedonisht, një formë tjetër predikimi kjo që zbatohet viteve të fundit në Maqedoni.

Pas transmetimit të storjes në TVM2 për mungesën e shqipes në këtë eveniment dhe reagimit të komunitetit katolikë shqiptarë, duket se shqipja për herë të parë pas tre viteve gjeti vend në këtë ceremoni, por qe aq “e vështirë” për t’u artikuluar edhe pse vetëm me një mesazh urimi.

“Për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresën e lume dhe ardhjen e lavdisë të të madhit hy dhe shërbyesit tonë, Jezu Krishtit. Ai e flijon vetveten për ne, që të na shpërblejë nga çdo paudhësi dhe ta pastrojë popullin, që atij i përket, që të jetë plotë zell për të kryer vepra të mira. Fjala e Zotit”- u tha në meshën e “Krishtlindjeve” në Shkup.

Katolikët shqiptarë nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre që një ditë të kryejnë meshën në gjuhën shqipe. Ata theksojnë se është koha që institucionet e vendit të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështje. (Valbon Bexheti, TVM2)