Omikron vazhdon të përhapet në botë, Austria heq karantinën bën të detyrueshëm vaksinimin
Austria e heq karantinën, ndërsa nga e marta, vaksinat kundër COVID-19...

Austria e heq karantinën, ndërsa nga e marta, vaksinat kundër COVID-19 do të bëhen të detyrueshme, njoftoi qeveria. Austria do të jetë vendi i parë i BE-së që do të vendosë mandat universal të vaksinimit. Vendi gjithashtu do të ulë numrin minimal të ditëve ndërmjet dozës së dytë dhe të tretë nga 120 në 90 ditë. Megjithatë, masat kufizuese do të mbeten në fuqi. Kjo përfshin orë policore nga ora 22:00 dhe kërkesën që personat e shëruar të vaksinohen, si kusht për të hyrë në pothuajse të gjitha hapërsirat. Numri i rasteve me COVID-19 në Austri vazhdon të jetë i lartë, pothuajse 2.500 raste për 100.000 banorë apo 1.200 raste më shumë se Gjermania.
Nga ana tjetër Rusia ka regjistruar më shumë se 124 mijë raste të reja me koronavirus, që është edhe shifra më e lartë ditore prej shpërthimit të pandemisë. Autoritetet shëndetësore ruse kanë raportuar edhe për 621 viktima në 24 orët e fundit. Popullsia e Rusisë është zvogëluar për më shumë se gjysmë milioni vitin e kaluar dhe virusi korona është konsideruar fajtorja kryesore për këtë.
Në kryeqytetin kanadez protestuesit kundër vaksinimit të detyrueshëm ndaj koronavirusit për shoferët e kamionëve që kalojnë kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, kanë protestuar për të dytën ditë me radhë. Shoferët e kamionëve kanë bllokuar rrugët që çojnë në ndërtesën e Parlamentit të Kanadasë. Përveç thirrjes për anulim të kërkesës për vaksinim të detyrueshëm të shoferëve që kalojnë kufirin, në protesta është kërkuar që t’iu jepet fund të gjitha masave që lidhen me vaksinim të detyrueshëm. Qeveria liberale e Trudeas ka miratuar më 15 janar vendimin që u kërkon shoferëve të pavaksinuar të kamionëve që t’i nënshtrohen masës së karantinës sapo të hyjnë në Kanada. Shtetet e Bashkuara kanë thënë po ashtu se shoferët e huaj të kamionëve duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit kur të hyjnë në territorin amerikan.
Ndërsa një studim izraelit i cili është botuar në revistën shkencore “Nature”, ka konstatuar se personat e imunizuar janë më pak të rrezikuar të zhvillojnë simptomat e Covidit një periudhë më të gjatë. Rastet që kanë marrë në shqyrtim mjekët lidhen të gjitha me fazën e parë të fushatës së vaksinimit, pra nga Marsi 2021. Studiuesit pyetën më shumë se 3000 njerëz të testuar me PCR për simptoma të mundshme të Covid-it të gjatë. Sipas studimit, personat e vaksinuar kanë 54% më pak gjasa të kenë dhimbje koke se ata që janë të imunizuar. Një tjetër fakt është se shanset e personave të vaksinuar për të zhvilluar lodhje kronike janë 64% më pak. Studiuesit në Universitetet e Ulmit dhe Amsterdamit thonë se vaksina ofron mbrojtje edhe ndaj ftohjes.
