LSM kërkon rritjen e pagës minimale, Qeveria: Zgjidhje sistematike përmes dialogut

31.01.2022 16:22

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë pas takimit në Qeveri për rritjen e pagës minimale...

Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë pas takimit në Qeveri për rritjen e pagës minimale, u shprehën të revoltuar dhe të pakënaqur me bisedimet e zhvilluara.

Ata thanë se nëse nuk do të arrihet marrveshtje, do të mbahet grevë, por edhe mundësi për organizim protestash, bllokim të fabrikave dhe udhëkryqeve.

Sindikata mbeti e bindur se duhet të ketë një demonstrim të pagës minimale dhe u bëri thirrje zyrtarëve të Qeverisë që të provojnë nëse do mund të mbijetojnë me pagën minimale aktuale për të paktën një muaj në këtë kohë pandemie dhe krize energjetike.

“Si Lidhje e Sindikatave të Maqedonisë, nuk jemi të kënaqur me me takimin e sotëm me Qeverinë. E vetmja pikë “drite”nga këto negociata ishte se caktuam një këshill social ekonomik të mërkurën, ku do të diskutohet në nivel trepalësh,mes sindikalistëve, punëdhënësve dhe Qeverisë. Si përfaqësues të Sindikatës nuk e pranojmë fjalën “do të bëhet “ por vetëm “kur dhe sa”. Nga e mërkura nëse nuk përmbushen kërkesat tona,  jam katëgorik në pjesën e pagës minimale dhe rritjes së të gjitha pagave. E them publikisht këtë dhe ftoj të gjithë punonjësit dhe popullin të mbajnë grevë, ku do të paraqesim  pakënaqësitë tona sepse me 15.200 denarë le të urdhëtojnë partnerët tonë social, të jetojnë dhe të paguajnë faturat në muajin që vjen, shkurtin” – thonë nga LSM.

Qeveria, përmes një komunikate, bëri të ditur se pajtohen që duhet të ketë dhe do të ketë rritje të pagës minimale, dialogu do të vazhdojë përsëri nga e mërkura, me të gjithë partnerët social.

“Paga minimale do të vazhdojë të rritet dhe zgjidhja sistematike do të vijë përmes dialogut me të gjitha palët, kurse zgjidhja që do të propozohej sigurisht nënkupton qëndrueshmëri afatgjate për rritjen e pagës minimale në përputhje me rritjen e kostos së jetesës dhe rritjen e pagave mesatare”, - thuhet në një deklaratë të qeverisë.

Përfaqësuesit e LSM-së në takim përshëndetën vendimet e Qeverisë për “të dielën, ditë jo pune” dhe për ngrirjen e çmimeve të produkteve bazë deri në fund të shkurtit 2022.

Të mërkurën do të dihet se cili do të jetë vendimi, grevë apo rritje e pagës minimale, gjegjësisht do të duhet të dihet nëse kërkesat e Federatës së Sindikatave janë të pranueshme për Qeverinë. (Farije Dauti – Bakiu, TVM2)