Mesha në Vatikan dhe Betlehem
Gjatë mesazhit tradicional vjetor për “Krishtlindje”, “Urbi et Orbi”, Papa Françesku i tha botës se njerëzit kanë dëshirë te zjarrtë për paqen kudo rreth globit dhe shprehu dëshirën e tij që fuqia shpërblyese e Krishtit "mund ta transformojë armën në krijimtari, ndërsa urrejtjen në dashuri dhe butësi"....

Papa Françesku e ka dënuar represionin “brutal” religjioz në Lindjen e Mesme dhe ka kërkuar paqe në zonat e konflikteve në të gjithë botën. “Vërtetë ka shumë lot në këto Krishtlindje”, tha sot Papa nga teraca qendrore e Bazilikës së Vatikanit, para një mase të madhe të besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit dhe miliona shikuesve televiziv në të gjithë botën. Ai i ka përmendur konfliktet në Irak, Siri, Izrael dhe në territoret palestineze, pastaj në Ukrainë, Libi dhe Sudanin Jugor.
“Unë kërkoj atë nga Ai, shpëtimtari i botës, të kujdeset për vëllezërit dhe motrat tona në Irak dhe Siri, të cilët për një kohë të gjatë tani janë duke vuajtur pasojat e konfliktit të vazhdueshëm dhe të cilët së bashku me ata që u përkasin grupeve të tjera etnike dhe fetare, janë duke vuajtur një përndjekje brutale. Dëshiroj që Zoti të dhurojë paqen mbi Lindjen e Mesme, duke filluar nga vendi i bekuar i lindjes së tij, për të arritur efekt mbi dialogun ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Dëshiroj që shpëtimtari i botës të mbrojë të gjithë ata që vuajnë në Ukrainë”- deklaroi Papa Françesku.
Papa Françesku, 78 vjeçar, ka kërkuar përfundimin e dhunës kundër “pjesës së madhe të fëmijëve” dhe ka theksuar se në sulmin vdekjeprurës të javës së kaluar në Pakistan, nga militantët janë masakruar 142 fëmijë. Ai ka shprehur keqardhje për abuzimin e fëmijëve, praktikën e ndërprerjes së shtatzënisë dhe për krizën e sëmundjes “Ebola”, nga e cila kanë vdekur mijëra njerëz.
Festimet e “Krishtlindjeve” kanë arritur kulmin mbrëmjen e djeshme me meshën e mesnatës, e cila u mbajt në Kishën e Lindjes. Mijëra pelegrinë në procesion të udhëhequr nga patriarku latin i Jerusalemit, Fouad Twal, kleriku më i lartë katolik në “Tokën e Shenjtë”, i cili tha se shpreson që viti 2015 të jetë më i mirë se ky vit i vështirë që po lëmë pas.
Ai ju referua mureve ndarëse, përmes të cilëve kaloi e që Izraeli po ngre rreth e rrotull Bregut Perëndimor për të ndarë Betlehemin nga Jerusalemi. Patriarku Twal, i ka kërkuar të krishterëve që të mos harrojnë banorët e Gazës, ku më shumë se 19 600 familje u zhvendosën për shkak të konfliktit 50 ditor të militantëve të Izraelit dhe Palestinës. (Leunora Kaliqi, TVM2)
