Promovohet libri i Izet Zeqirit
Sot, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë u promovua vepra "Me kreativitet kundër, “për” (peripecitë e një mandati të papërfunduar)" e autorit prof. dr. Izet Zeqiri...

Autori në këtë vepër ka shpalosur gjithë ato peripeci dhe sfida me të cilat ai është përballur gjatë mandatit të tij dyvjeçar si deputet, ku në libër i shfaq të gjitha padrejtësitë që bëhen ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Akademikët, diplomatët dhe profesorët vlerësuan se autori në këtë vepër ka bërë një përmbledhje praktikumi, që pasqyron dhe gërsheton të gjitha praktikat e një qeverisje të mirë dhe se ai gjatë mandatit të tij si deputet është munduar që të akademizojë Parlamentin e Maqedonisë me një qasje të re diskutimi, debati dhe ballafaqimi të argumentit politik.
"Vërtet ishte kënaqësi për shumicën prej nesh të bashkëpunojmë dhe ta njohim për të parën herë në një kontekst politik Izetin. Në Maqedoni, politika nuk llogaritet si profesion shumë i mirë, shpesh nuk llogaritet as si profesion i ndershëm, nuk llogaritet si profesion ku vinë në shprehje kualiteti dhe për këtë jemi këtu ku jemi, sepse ende nuk arrijmë t’ua përcjellin mesazhin studentëve të Izetit, që po të bëhen si ai atëherë, vendin e tyre mund ta shohin edhe në Parlamentin e Maqedonisë”- deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, prof.dr.Radmilla Sheqerinska.
Autori i librit, Izet Zeqiri, theksoi se në libër i ka publikuar të gjitha fjalimet përmbajtësore të tij si deputet në Parlamentin e Maqedonisë.
Në promovimin e librit të ish-deputetit, Izet Zeqiri, të pranishëm ishin ish-figura politike, si dhe disa deputetë të Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, si nënkryetarja, Radmilla Sheqerinska, Jani Makraduli, si dhe shumë profesorë dhe studentë. (Miftar Emini, TVM2)
