Maqedoni
Raporti javor i IShP-së: 11.916 të infektuar e 13 mijë të shëruar
01.02.2022 15:36
Javën e kaluar janë regjistruar gjithsej 11.916 raste të reja me Covid-19...

Javën e kaluar janë regjistruar gjithsej 11.916 raste të reja me Covid-19, që paraqet rritje prej 2.7% krahasuar me një javë më parë. Në periudhën prej 24 deri më 30 janar janë kryer 38.518 teste, apo 2.0% më pak se shtatë ditët e mëparshme, ndërsa përqindja e rasteve pozitive është sjellë nga 22.5% në 35.8%, apo mesatarisht 30.3%, bën të ditur Instituti i Shëndet Publik.
“Janë regjistruar persona të infektuar në të gjitha grupmoshat, por numri më i madh i rasteve pozitive janë te grupmosha mbi 60 vjeç - 22.1% dhe nga 30 deri në 39 vjeç 22.1%. Numri më i ulët është tek fëmijët deri në nëntë vjeç. Për sa i përket gjinisë, 6.359 apo 53,4% janë femra dhe 5.557 46,6% meshkuj. Gjatë javës së kaluar janë shëruar 13.041 persona. Gjatë javës së kaluar janë regjistruar 1.558 riinfektime dhe 148 të vdekur, apo 38.3% më shumë se një javë më parë. Aktualisht në trajtim spitalor janë të shtruar 671 persona, apo 22.0% më shumë se një javë më parë, nga të cilët 390 janë me mbështetje oksigjeni dhe 31 me ventilim mekanik". Mjeku Ilir Demiri thotë se së fundmi është rritur numri i pacientëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor.
“Inkurajimi se Omikroni është më i lehtë nuk qëndron, ne për momentin punojmë me kapacitetet të plota, njëjtë është edhe me Kovid qendrat tjera që jemi në komunikim, është rritur ndjeshëm numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor.”,- tha infektologu, Ilir Demiri.
Demiri njëherit thekson se duke u bazuar në përvojën e tij, nuk ka evidentuar asnjë pacient të vaksinuar në kohë dhe pa probleme tjera shëndetësore që të ketë vdekur nga virusi Korona. Prandaj apelon te qytetarët që të vaksinohen.
GYLTENE SINANI
