Maqedoni

Kërçovë, reshjet e borës shkaktojnë probleme në qarkullimin rrugor

01.02.2022 17:43

Reshjet e borës e kanë vështirësuar dukshëm qarkullimin rrugor në rajonin e Kërçovës....

Reshjet e borës e kanë vështirësuar dukshëm qarkullimin rrugor në rajonin e Kërçovës. Vështirësi më të theksuara janë paraqitur në rrugët e vendbanimeve malore, ku nuk kanë intervenuar ekipet për pastrimin e borës. Si pasojë e reshjeve në disa fshatra të zonave malore rrugët janë bërë të pakalueshme edhe për automjetet e lehta.
 
Në pjesën qendrore të qytetit lëvizja e makinave zhvillohet pa pengesa të mëdha, ndërkohë që në pjesët periferike të komunës, ekipet për pastrimin e borës akoma nuk i kanë marrë masat e nevojshme për lehtësimin e qarkullimit rrugor.
 
Në lagjen Pashinë e Poshtme, janë rrëzuar dy shtylla të energjisë elektrike por falë intervenimit të të shpejtë të EVN-së nuk ka pasur ndërprerje të furnizimit me rrymë elektrike. Deri më tani nuk ka as ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.
 
Në rrugën magjistrale qarkullimi rrugor është zhvilluar normalisht, por për shkak të intensifikimit të reshjeve, dhe vështirësive të krijuara, në akset rrugore Strazhë dhe Presekë, qysh në orët e paradites, është vendosur ndalesa për automjetet e tonazhit të rëndë që lëvizin në drejtim të Gostivarit dhe Strugës, ndërsa për automjetet e lehta preferohet kujdes i shtuar dhe përdorimi i pajisjeve dimërore.
 
SHABAN DALIPI