Botë

Zelinskiy, thirrje ukrainasve të qëndrojnë të qetë

01.02.2022 19:11

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar...

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë të qetë dhe të bashkuar, derisa qeveria dhe liderë në mbarë botën po vazhdojnë përpjekjet për të shmangur një pushtim të mundshëm nga Rusia, e cila ka grumbulluar dhjetëra mijëra ushtarë përgjatë kufirit. Duke folur në parlament, Zelenskiy tha të martën se “askush nuk po vendos për fatin e Ukrainës pas shpinës sonë”, duke shtuar se ai shpreson se së shpejti do të vendoset data e takimit të ardhshëm të grupit të Formatit të Normandisë – që përfshin Ukrainën, Rusinë, Francën dhe Gjermaninë – për të diskutuar për zgjidhjen e tensioneve në rritje ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.
 
“Ne po punojmë në mënyrë aktive për të vendosur sa më shpejt datën e takimit të ardhshëm të këshilltarëve në Berlin dhe shpresoj se do të arrihet një marrëveshje për takimin e liderëve të Formatit të Normandisë”, tha Zelenskiy pasi nënshkroi një dekret për të rritur numrin e forcave ushtarake të Ukrainës për 100 mijë trupa për tre vjet dhe për të rritur pagat e ushtarëve.
 
Zelenskiy tha gjithashtu se ai ka zhvilluar bisedime me përfaqësues të 80 vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilët sipas tij, kanë mbështetur Ukrainën në përplasjen e vazhdueshme me Rusinë.