Botë

Me ndihmat erdhi dhe Covid-19, Tonga futet në izolim pas rasteve të para

02.02.2022 13:40

Dy javë pas shpërthimit masiv vullkanik dhe cunamit që shkatërroi arkipelagun, ishullor i Paqësorit...

Dy javë pas shpërthimit masiv vullkanik dhe cunamit që shkatërroi arkipelagun, ishullor i Paqësorit, Tonga ka hyrë në izolim, pasi raportoi rastet e para me Covid-19. Fillimisht  dy punonjës të portit kishin rezultuar pozitivë, por më vonë zyrtarët konfirmuan tri raste të tjera në anëtarët e një familje, duke e çuar numrin e përgjithshëm në pesë.

Tonga ishte një nga vendet që nuk raportoi asnjë infeksion të vetëm Covid, pasi kishte mbyllur kufijtë e saj me botën e jashtme në mars 2020. Përhapja e mundshme nuk mund të vinte në një kohë më të keqe për kombin me 100 000 banorë, i cili po përpiqet të rikuperohet nga shpërthimi masiv i vullkanit më 15 janar.

Telekomunikacioni dhe interneti, veçanërisht në ishujt më të largët të vendit nuk janë restauruar plotësisht. Më shumë se 1500 njerëz mbeten të zhvendosur pasi qindra shtëpi u shkatërruan. Të korrat u shkatërruan nga rënia e hirit vullkanik dhe aksesi në ujë të sigurt mbetet një sfidë kryesore, pasi burimet e ujit janë të kontaminuara.