Maqedoni

Kërkesa e Mickovskit për frontin opozitar, BESA ka prioritet riorganizimin e partisë

02.02.2022 15:20

Lëvizja Besa këmbëngul në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ende pa definuar strategjinë e veprimit....

Lëvizja Besa këmbëngul në zgjedhje të parakohshme parlamentare, por ende pa definuar strategjinë e veprimit. Fokusi i partisë për momentin është riorganizimi i brendshëm dhe kongresi i 5 marsit, thotë nënkryetari i partisë, Abdush Demiri, në “Argument” në TVM2. Sipas tij, ende nuk është shqyrtuar kërkesa e Mickovskit për një front të përbashkët opozitar. Nga Besa aludojnë për një bashkëveprim me ASh-në.

“Nuk mund të japim përgjigje për iniciativa të shpejta. Nuk kemi biseduar në parti për këtë pasi që jemi të koncentruar në organizimin e kongresit. Me ASH-në kemi pasur gjithmonë bashkëpunim të mirë. Edhe ata e kanë kongresin në mars, sigurisht edhe ata janë të koncentruar në konsolidimin e radhëve dhe ne jemi të interesuar që edhe ata nga kongresi të dalin sa më të fuqishëm në mënyrë që pas kongreseve me struktura legjitime, të forcuara, të forcojmë radhët dhe me veprimtarinë opozitare të bëjmë aktivitete dhe aksione për ta rrëzuar këtë qeveri.”,- deklaroi nënkryetari i Lëvizjes Besa, Abdush Demiri.
 
Nënkryetari i Besës, Demiri, thotë se kërkesa për uljen e numrit të deputetëve nga 120 në 90 shikohet vetëm si alibi e VMRO-së për të mos pranuar kërkesën e partive më të vogla maqedonase për një njësi zgjedhore.
 
MERAL ISMAILI