BE dhe NATO, opsion i vetëm i Maqedonisë

25.12.2014 17:50

Rruga e vetme e Maqedonisë është anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndërsa bashkëjetesa ndëretnike dhe ndërfetare është e domosdoshme për vendin....

Kështu ka deklaruar lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në fjalimin e fundvitit. Ai ka shtuar se nëse vazhdon që Maqedonia të mbetet jashtë BE-së dhe NATO-s, atëherë është e mundshme të kaplohet nga kriza e ngjashme si Ukraina.

“Në çdo kohë duhet ta kujtojmë se ç’ngjarje dhe ç’zhvillime ndodhin në Ukrainë. Të pakëndshme dhe të papëlqyeshme për askënd. Deri më tani rreth 5 mijë njerëz të vrarë, prandaj Ballkani Perëndimor ka nevojë të ngutshme, të shpejtë, që guximshëm të hapërojë drejt anëtarësimit në NATO, drejt BE-së. Kur them Ballkani Perëndimor duhet shpejt të hapërojë, unë kam parasysh se nuk janë larg shumë 15 vite që na ndajnë që ky vend ka qenë vatër, ku janë djegur me mijëra e miliona tonelata barot, armatime dhe janë zhdukur me tonelata zinxhirë tankesh, duke vrarë dhe masakruar njerëz”- deklaroi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Lideri i integristëve ka folur edhe për stemën e re të qeverisë, e cila, sipas tij, duhet t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët.

“Ne mendojmë që komuniteti shqiptar jo vetëm që duhet të jetë i përfillshëm, por edhe i akordueshëm, sepse bëhet fjalë për simbol që na përfaqëson të gjithëve”- tha Ahmeti.

Ahmeti, u shpreh se mes partnerëve të koalicionit qeveritar ka vështirësi, por shtoi se ai është prodhim i vullnetit të të dy popujve në Maqedoni.

“Ne nuk e caktojmë partnerin me kë do të punojmë, as pala e komunitetit tjetër nuk mund ta zgjedhë partnerin. Këtë partneritet e kushtëzon vullneti i lirë i shumicës së qytetarëve, vota e qytetarëve. Gjatë bashkëpunimit me këtë partneritet ka dallime të shumta të qëndrimeve dhe vështirësi të shumta”- u shpreh Ahmeti.

Ahmeti edhe një herë i ka kërkuar LSDM-së që të kthehet në punimet e kuvendit, sepse hapi i tillë do të jetë në të mirë të vendit, ndërsa udhëheqësve të opozitës maqedonase u tha se i përkrah në idetë e mira, që janë në favor të të gjithë qytetarëve të vendit.

Ai gjithashtu foli edhe për mosmarrëveshjet brenda BDI-së, duke theksuar se bëhet fjalë për vlerë demokratike, e cila duhet ruajtur me shumë kujdes për të mos kaluar në anarki. Kreu i BDI-së shtoi se në Maqedoni shqiptarët nuk kanë nevojë për më shumë se dy parti, sepse bëhet copëtimi i votës shqiptare dhe shqiptarët duhet të jenë më të fortë nëpër institucione.

Ai shtoi se BDI-ja vazhdon të mos heqë dorë nga presidenti konsensual, por edhe nga shumë çështje të tjera që kërkojnë konsensualitet. (Mefail Ismaili, TVM2)