Maqedoni

Sofje, Radev: Vizita e kryeministrit në Shkup, e shpejtuar

02.02.2022 15:35

Vizitën e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, në Shkup, presidenti bullgar, Rumen Radev, e quan të shpejtuar...

Vizitën e kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, në Shkup, presidenti bullgar, Rumen Radev, e quan të shpejtuar. Kërkon nga diplomacia e vendit të jetë më e kujdesshme në hapat që i ndërmerr si dhe të punojë në favor të shtetit bullgar, pa u ndikuar nga presioni i jashtëm. Radev potencon sërish përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e RMV-së, si dhe respektimin e të drejtave të tyre. 
 
“Mendoj se vizita e kryeministrit ishte e shpejtuar. Është me rëndësi që diplomacia bullgare në tërësi ta shfrytëzojë kapacitetin e saj. Të mos besojë në ekspertizën e jashtme, tek organizatat joqeveritare dhe të mos bëhet pre e presionit të jashtëm.”,- tha kryetari i Bullgarisë, Rumen Radev.
 
Petkov: Jemi vonuar, dialogu duhet të vazhdojë
 
Kryeministri bullgar Petkov, ndërkohë përgjigjet duke thënë se vizita e tij duhej të ishte realizuar shumë më herët dhe të shmangeshin humbjet e shteti bullgar. Fton elitën politike të jetë konstruktive dhe aktive në raport me Maqedoninë e Veriut. 
 
“Takimi im jo vetëm që nuk është shpejtuar, por skajshmërisht është e vonuar. Jo për shkakun tim si kryeministër, por kjo është vonuar sepse pala bullgare duhet të ketë pozicion aktiv. Të ketë ton kosntruktiv veprues, qëllime të qarta dhe qasje të saktë. Shpreh keqardhje për atë se Bullgaria ka humbur aq shumë vite.”,- theksoi kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.
 
Kryeministri Petkov apelon po ashtu për kujdes ndaj forcave që duan ta destabilizojnë Ballkanin, që nuk duan dialog mes Sofjes dhe Shkupit dhe së fundmi të rezultohet me një Maqedoni të paintegruar në BE. Vetëm një bashkëpunim më i ngushtë mes dy vendeve, sipas tij, do të shpie në fqinjësi të mirë  ndër-shtetërore.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU