Maqedoni
Nisma për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, Milloshovski: U konsultuam me Lëvizjen Besa
02.02.2022 15:53
Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së vazhdoi koordinimin me përfaqësues të partive të tjera parlamentare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor...

Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së vazhdoi koordinimin me përfaqësues të partive të tjera parlamentare për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, përkatësisht ndryshimin e modelit zgjedhor dhe mundësinë që vendi të jetë një njësi zgjedhore. Konsultime janë realizuar me deputetët e Lëvizjes Besa dhe deputetin, Panço Minov.
“Me kolegët e partisë politike Besa kemi qëndrim të përbashkët se duhet të ketë ndryshime në modelin zgjedhor. Dallimet janë në numrin e njësive zgjedhore. VMRO-DPMNE konsideron se është më mirë që të jetë një njësi zgjedhore, ndërsa qëndrimi i Besës është për tre njësi zgjedhore. Ndërkaq, me deputetin Panço Minov kemi qëndrim të përbashkët se një njësi zgjedhore do të ishte model i suksesshëm dhe reprezentativ për shtetin dhe qytetarët.”,- deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Zendeli: Tri njësi zgjedhore dhe lista të hapura
Lëvizja Besa konsideron se shkrirja e gjashtë njësive në tre njësi zgjedhore mund të realizohet lehtësisht duke ruajtur kështu edhe balancat etnike dhe sociale të përfaqësim në Kuvend. Ideja për reduktimin e numrit të deputetëve nga 120 në 90 u duket e nxituar.
“Nga gjashtë njësi zgjedhore që tash i kemi, shumë lehtë mund të transformohen në tre njësi zgjedhore. Njëshi dhe dyshi të bashkohen si një njësi zgjedhore, treshi me katërshin dhe pesa me gjashtën. Kufijtë administrative të realizmit të zgjedhjeve janë dhe kjo shumë lehtë mund të realizohet. Mundësohet që numër më i madh i deputetëve të zgjidhet në kuadër të një njësie zgjedhore, në këtë rast do të zgjidheshin 40 deputetë në një njësi zgjedhore.”,- theksoi deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.
Vanhojt: Shumica e qytetarëve s’do përfaqësohen
Edhe eksperti belg, Piter Vanhojte, njohës i mirë i sistemit politik në vend dhe jo vetëm, i angazhuari kryesor arritjen e Marrëveshjes së Përzhinës, është deklaruar kundër ndryshimit të modelit zgjedhor që Maqedonia të bëhet një njësi zgjedhore.
“Me rëndësi është që deputetët të prezantojnë njësinë zgjedhore dhe zonën prej ku janë zgjedhur. Me një njësi zgjedhore do të përfundoni ashtu që shumica e qytetarëve nuk do të përfaqësohen në Parlament.”, ka deklaruar Vanhojte për “Nezavisen”.
SHPËTIM NUREDINI
