Maqedoni

Angellovski: U arrestuar personi që kërcënoi prokurorët

02.02.2022 16:44

Është arrestuar në Manastir një 56 vjeç i cili para disa ditësh i dërgoi letër kërcënuese prokurorit publik, Ljubomir Joveski...

Është arrestuar në Manastir një 56 vjeç i cili para disa ditësh i dërgoi letër kërcënuese prokurorit publik, Ljubomir Joveski, dhe prokurores, Villma Ruskoska. Në letrën kërcënuese me jetë drejtuar Joveskit kërkohej lirimi nga ndjekja e dy gazetarëve, Goran Momirovski dhe Dragan Mirosavleviq. Procedurë kjo që në fakt ndërpre në dhjetor pasi u konstatuar se nuk ka bazë për të vazhduar hetimet nga ana e prokurorisë. Kërcënime nga i njëjti person mori edhe shefja e Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Villma Ruskoska. Ajo ka deklaruar se bëhet fjalë për dy letra kërcënuese në të cilat është kërkuar të dënohen Zoran dhe Vice Zaev, në të kundërtën ajo do të vritej. Në letër dërguesi mes tjerash ka theksuar se qytetarë të pafajshëm dhe me kredibilitet janë në burgje, ndërsa kriminelët janë në liri. 
 
“Janë kryer kontrolle në dy lokacione në Manastir është marrë material, i cili është dërguar në ekspertizë dhe tërë kjo ka përfunduar me arrestimin e S. Z. 56 vjeç nga Manastiri. Ai do t’i dorëzohet prokurorisë së bashku me padinë adekuate për rrezikim të sigurisë.”,- tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
 
Pas kërcënimeve, prokurori shtetëror Joveski ka deklaruar se asnjë kërcënim, përfshirë edhe këtë me jetë, nuk do ta luhasë në punën profesionale dhe në implementim të ligjeve me përgjegjësi. 
 
VLORA LATIFI STOPOJANI