Maqedoni
Inspektimi i mjedisit jetësor, kërkohet bashkëpunim mes institucioneve
02.02.2022 17:16
Propozim Ligji për Mbikëqyrës të Inspektimit për Ambient Jetësor, para Komisionit për Çështje Evropiane...

Kjo zgjidhje paraqet sfidë kyçe për arritje të standardeve ku planifikohen më shumë mbikëqyrje vjetore, tejkalimin e problemit për resurset njerëzore. Në detaje janë paraparë procedurat për raste urgjente të mbikëqyrjeve dhe bashkëpunimi më i thelluar i inspektorëve në nivel lokal dhe qendror.
“Do të sigurohet në një anë planifikimi shumëvjeçar i inspektimeve të mjedisit i cili do të sigurojë tejkalimin e sfidave aktuale të burimeve njerëzore si dhe planifikimin e duhur të inspektimeve në nivel qendror dhe vendor në përputhje me politikat e mjedisit dhe nga ana tjetër procedura të detajuara për procedura urgjente dhe të jashtëzakonshme.”,- tha ministri i ambientit jetësor dhe planifikimit hapësinor, Naser Nuredini.
Për opozitën zgjedhja ligjore është e duhur, por për të parë rezultate do të duhen më shumë para për vetëqeverisjet lokale.
“Sigurisht që vetëqeverisja lokale më së miri i di problemet ekologjike. Nëse nuk keni sektor për ambient jetësor i cili do të azhurnojë të dhënat ju nuk mund të bëni mbikëqyrje inspektimi.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Pavle Trajanov.
Edhe në raportin e Komisionit Eurpian kemi notë të ulët sa i përket kapacitetit për bashkëpunimit të institucioneve përkatëse, gjysma e komunave në vend nuk kanë inspektor për ambient jetësor, thotë kryetarja e DOM.
“Ligji parasheh që deri në fund të vitit komunat të kenë inspektor të licencuar për ambient jetësor në nivel lokal apo do të parashikohet një administratë e përbashkët për inspektim të ambientit jetësor në nivel lokal.”,- u shpreh kryetarja e DOM, Maja Moraçanin.
Komisioni për Çështje Europiane miratoi propozim ligjin për inspektim mbikëqyrës të ambientit jetësor dhe e procedoi më tej.
GAZMEND REXHEPI
