Ekonomi

Rritja e pagës minimale, përfundon pa marrëveshje takimi në Qeveri

02.02.2022 19:12

Dialogu rreth kërkesës së sindikatës për rritje të pagës minimale në 18.000 denarë do të vazhdojë të premten....

Dialogu rreth kërkesës së sindikatës për rritje të pagës minimale në 18.000 denarë do të vazhdojë të premten. Zv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyçi tha se rritje të pagës minimale do të ketë, por është e patjetërsueshme që kjo të bëhet me kompromis të të gjitha palëve. 
 
“Kemi në tavolinë dy propozime të dhëna. Njëri nga lidhja e sindikatave dhe tjetri nga ana e organizatës së punëdhënësve Dialogu do të vazhdon të premten dhe i siguroj qytetarët që marrin paga minimale se së shpejti do të ketë konsensus për rritje të pagës së tyre.”, tha Fatmir Bytyçi, zv/kryeministër.
 
Kryetari i Lidhjes së Sindikatavet, Darko Dimovski tha se argumentet ishin në anën e tyre e shprehu keqardhje se përse nuk arrtiën pajtueshmëri. Ai thekson se organizata e punëdhënësve po tenton të përfitojë në  kohë.  
 
“Koha tani po punon për punëtorin, e jo për punëdhënësit. Më vjen shumë keq që e sollën qeverinë në situatë të jetë në mes  dhe ajo që kërkon lidhja e sindikatave është në bazë të analizave ekonomike, pandemisë dhe krizës energjetike nuk e dakorduam sot, që nesër punëtori të merr pagë minimale.”, tha Darko Dimovski, kryetar i LSM-së.
 
Nga organizata e punëdhënësve theksojnë se edhe ato janë për rritje të rrogës por që kërkojnë të përmbushen kërkesat dhe idetë e tyre. Megjithatë nuk dhanë shpjegim se deri në çfarë shumë për ta do të ishte e pranueshme rritja e pagës.
 
“Presim propozim edhe nga qeveria se a do të pranohen idetë tona. Kemi disa ideja. Presim të arrijmë kompromis prej të tre sektorëve. Nuk kemi një shumë konkrete se sa duhet të rritet paga. Duhet të konsultojmë anëtarësinë tonë, të kërkojmë mendimin e tyre dhe të marrin ide konkrete prej tyre.”, thonë nga Organizata e Punëdhënësve.
 
Propozim ligji për ndryshimin e Ligjit për pagën minimale është vënë në rend dite të seancës parlamentare të caktuar për më 10 shkurt. Në të parashikohet që shuma e pagës minimale të mos jetë më e ulët se 60 për qind e pagës mesatare neto të paguar në tre muajt e fundit të publikuar
 
ERSAN PAJAZITI