Biden, neni 5 i NATO-s është i shenjtë
Shtetet e Bashkuara po përgaditen për të dërguar mijëra trupa...

Shtetet e Bashkuara po përgaditen për të dërguar mijëra trupa në Evropë për të forcuar aleatët e NATO-s, në kohën e rritjes së tensioneve pas pozicionimit të mbi 100 mijë trupave ruse afër kufirit të Ukrainës.
Pentagoni ka njoftuar se do të dërgojë rreth 3,000 trupa në Poloni, Rumani dhe Gjermani këtë javë, vendim që presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se është konsistent me atë që i ka treguar edhe presidentit rus, Vladimir Putin dhe se përfaqëson “një detyrim të shenjtë”, siç e parasheh Neni 5 i NATO-s.
“Për aq kohë sa ai vepron me agresivitet, ne do të sigurohemi se mund të garantojmë aleatët e NATO-s dhe Evropën Lindore se jemi aty dhe Neni 5 është obligim i shenjtë”, ka thënë Biden për CNN.
Sipas Nenit 5 të NATO-s, të gjitha vendet anëtare janë të obliguara të ndihmojnë një vend tjetër anëtar, sovraniteti dhe integriteti territorial i të cilit mund të kërcënohet. Rreth 2,000 trupa luftarake do të pozicionohen nga Shtetet e Bashkuara në Poloni dhe Gjermani, derisa rreth 1,000 trupa që tani janë në Gjermani, do të kalojnë në Rumani, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.
Dërgimi i trupave “është sinjal i pagabueshëm para botës se ne jemi të gatshëm” për të mbrojtur aleatët e NATO-s dhe lëvizjet e trupave nuk janë veprimi i vetëm parandalues që do të marrë SHBA-ja, ka thënë Kirby.
