Maqedoni

Kovaçevski viziton selinë e NATO-s, Stoltenberg: NATO fton Rusinë të ulë tensionet

03.02.2022 13:39

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut garanton sigurinë e vendit, ndërkaq qielli i Maqedonisë së Veriut...

Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut garanton sigurinë e vendit, ndërkaq qielli i Maqedonisë së Veriut është pjesë e sistemit të policisë ajrore të NATO-s dhe patrullohet me avionë luftarakë nga Greqia. Siguria e vendit dhe rajonit u diskutua në takimin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe kryeministrit Dimitar Kovaçevski, në selinë e NATO-s.
 
Në takim nuk kishte si të evitohet shqetësimi kryesor i Alenacës për situatën në kufirin ruso-ukrainas. NATO fton Rusinë që të ul tensionet. “Çdo agresion i mëtejshëm i Rusisë do të ketë pasoja serioze dhe do t’i kushtojë shtrenjtë.”- paralajmëroi Stoltenberg.
 
“Aleatët janë të përgatitur që të bisedojnë për marrëdhëniet mes NATO_s dhe Rusisë se si të ulim rreziqet dhe të rrisim transparencën, kontrollin dhe mospërhapjen e armatimit. Por, NATO nuk do të bëjë kompromis për parimet kryesore. Të drejtën e çdo kombi që të zgjedh rrugën e vet dhe aftësinë e NATO-s që të mbrojë aleatët e vet. Jemi të përkushtuar që të gjejmë zgjidhje politike për krizën por, duhet të jemi të përgatitur për më të keqen.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
Kovaçevski: U bashkëngjitemi thirrjeve ndaj Rusisë
 
Edhe Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s, iu bashkëngjit thirrjeve ndaj Rusisë për të mos e përshkallëzuar situatën dhe për vazhdimin e dialogut diplomatik. Situata në dhe rreth Ukrainës, përbën një kërcënim për sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare, konsideron kryeministri Kovaçevski.
 
“Si një aleat i NATO-s, ne mbështesim propozimin e NATO-s për takime tematike me Rusinë për gjendjen e marrëdhënieve, sigurinë evropiane me fokus Ukrainën dhe transparencën, uljen e rrezikut dhe kontrollin e armëve. Mbështesim plotësisht sovranitetin e Ukrainës dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Maqedonia e Veriut mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj Marrëveshjes të  Uashingtonit themeluese të NATO-s dhe ndaj vlerave dhe parimeve themelore të Aleancës.”,- theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Në takimin në selinë e NATO-s në Bruksel, ku mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, kryeministri Kovaçevski, theksoi se me përmbushjen e qëllimit strategjik për t’u bërë anëtare e NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut në një kohë rekorde arriti integrimin ushtarak në Aleancë dhe vazhdon me procesin e modernizimit të armatës.

SHPËTIM NUREDINI