Maqedoni

Osmani dhe Mariçiq në Francë, Bon: Franca ju mbështet, zgjidhni problemin me Sofjen

03.02.2022 14:44

Shteti francez konsideron se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të fillojnë bisedimet me BE-në pa humbur kohë....

Shteti francez konsideron se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të fillojnë bisedimet me BE-në pa humbur kohë. Në takim me zëvendëskryeministrin për eurointegrime Mariçiq dhe ministrin e jashtëm Osmani, sekretari shtetëror francez, Kleman Bon, ka theksuar shpresën për arritjen e kornizës negociuese në BE, por inkurajon edhe Shkupin dhe Sofjes në tejkalimin e  dallimeve.
 
“Në rolin tonë si Presidencë e BE-së, ju inkurajojmë në këto diskutime dhe do të jemi plotësisht  të disponueshëm  për të mbështetur, ndihmuar ose lehtësuar procesin. Shpresoj se në javët dhe muajt në vijim do të jemi në gjendjen të tejkalojmë  këtë fazë të diskutimeve rreth  kornizës negociuese që u propozua disa muaj më parë. Besoj  se ka vullnet  të mirë në diskutimet edhe mes Sofjes dhe Shkupit, por edhe në BE. Mendoj se do të kemi rezultate të mira javëve në vijim.”,- deklaroi sekretari shtetëror francez, Kleman Bon.
 
Osmani: Me Bullgarinë kemi qasje të re
 
Me Bullgarinë kemi ngritur një angazhim të ri në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ka përcjellë ministri Osmani. Për shefin e diplomacisë janë të kuptueshme problemet e brendshme të BE-së  dhe zgjidhja e tyre, sipas tij, do të jetë sukses edhe për vendet aspirante.
 
“Morëm mesazhe të qarta dhe mbështetje të pahamendshme nga Franca për gatishmërinë tonë për të filluar negociatat. Zotëri Bonin e informova  për klimën e re të krijuar mes dy qeverive të reja në RMV dhe Bullgari, e cila padyshim tregon një energji të re dhe përkushtim serioz  te të dyja palët për të arritur sukses.  Ne po ashtu e mbështesim konferencën për të ardhmen e Evropës, veçanërisht për kontestin e metodologjisë së re, të cilën e konsiderojmë pararojë të suksesshme  të procesit.”,- tha ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
Mariçiq: Nevojitet fokus i be-së në Ballkan
 
Zëvendëskryeministri Mariçiq ka shprehur nevojën për  mbajtjen e Ballkanit Perëndimor në "binaret" e rregullave dhe vlerave të unionit.
 
“Duam të zgjerojmë angazhimin tonë për përforcimin e  institucioneve tona dhe gatishmërinë e tyre për fillimin e negociatave aderuese. Negociatat aderuese janë proces që do të zgjasin  më shumë se një dekadë, por është e rëndësishme që ne të ruajmë  institucionet tona në kuadër të proceseve reformuese, të ruajmë  transformimin pozitiv të politikave tona dhe aftësimin drejt legjislaturës evropiane.”,- theksoi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bojan Mariçiq.
 
Osmani dhe Mariçiq në Paris janë takuar edhe me zyrtarë të tjerë ndërkaq kanë ftuar elitën politike franceze për të vizituar vendin tonë, para se të organizohet konferenca në Bruksel për Ballkanin Perëndimor.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU