Maqedoni
Sali dhe krerët fetarë me apel për qytetarët: Parandaloni përhapjen e virusit - vaksinohuni!
03.02.2022 15:03
Vaksinimi është mënyra më e sigurt për t'u mbrojtur nga përhapja e virusit dhe infektimeve, prandaj vaksinohuni!

Vaksinimi është mënyra më e sigurt për t'u mbrojtur nga përhapja e virusit dhe infektimeve, prandaj vaksinohuni! Një apel të tillë e bëri ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, së bashku me të gjithë krerët e bashkësive fetare në vend.
“Të japim mesazhin se mundësia e vetme më e mirë dhe e dëshmuar si e drejtë për t’u mbrojtur nga virusi Kovid-19 është pikërisht vaksinimi. Ajo që e bën të veçantë këtë ditë është edhe vendi prej ku po e bëjmë këtë thirrje, duke u gjendur në shtëpinë përkujtimore të Nënës Terezë, që është pika më e vizituar në RMV. Ne si pushtet e kemi në dorë resurset që të kujdesemi për shëndetin e popullatës, por ne si shoqëri kemi mundësi reale që kështu të bashkuar të punojmë që të shpëtojmë sa më shumë jetë dhe të falim më shumë dashuri, respekt për njëri-tjetrin, prandaj ju lutem vaksinohuni!”,- tha ministri i shëndetësisë, Bekim Sali.
Kryetari i BFI-së, Shakir Fetahu, tha se vaksinimi duhet marrë seriozisht. BFI, gjatë pandemisë vazhdimisht merr vendime në kuadër të rekomandimeve të OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
“BFI prej momentit të parë i ka marrë të gjitha masat nëpër objektet fetare, prej momentit të parë i ka realizuar të gjitha rregullat nga OBSH, nga Ministria e Shëndetësisë si dhe nga parimet e islamit që e parasheh në këto momente. Marrë parasysh se jeta është e shenjtë, në islam kemi obligim të domosdoshëm që atë ta ruajmë ta mbrojmë e si duhet ta ruajmë janë organizatat kompetente.”,- u shpreh kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Apel deri tek besimtarët dërguan edhe kreu i KOM-it, z.Stefani, peshkopi i Kishës Katolike, Kiro Stojanov, dhe kryetari i komunitetit hebre, Pepo Levy. Kreu i KOM-it tha se është më mirë të parandalohet diçka sesa të shërohet.
“KOM-i përmes njoftimeve të saj disa herë gjatë dy viteve të fundit si dhe në letrat e destinuara për festat e mëdha u bëri thirrje besimtarëve që t'i përmbahen asaj që apelojnë institucionet kompetente. Është më mirë të parandalosh diçka sesa ta kurosh më pas. Dhe apeli i sotëm duhet kuptuar që më mirë të parandalohet sesa të kurohet.”,- theksoi kryetari i KOM-it, z. Stefani.
Takimi u mbajt në Shtëpinë Përkujtimore të Nënë Terezës, për të kujtuar kontributin e madh që ajo la pas, si vend i frymëzimit, ku apeli dhe mesazhi merr formën e duhur, u tha me këtë rast.
VLORA LATIFI TOPOJANI
