Maqedoni
Gjykata e Apelit hoqi masën e arrestit shtëpiak për Rashkovskin dhe Veljanoskin
03.02.2022 15:42
Gjykata e Apelit tërhoqi masën e arrestit shtëpiak për ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë...

Gjykata e Apelit tërhoqi masën e arrestit shtëpiak për ish-sekretarin e përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovskin, dhe ish-kryetarin të Kuvendit, Trajko Veljanoskin. Rashkovski është liruar me garanci prej 192.980 eurosh. Garancia përbëhet nga patundshmëri. Ndërsa garancia e ofruar nga Veljanoski për të dalë nga paraburgimi është 209.791 euro dhe përbëhet nga patundshmëri. Edhe për Rashkovskin edhe Veljanoskin janë caktuar masat e sigurimit: konfiskim i pasaportave dhe detyrim për t’u paraqitur në gjykatë në kohë të caktuar. Për vendimin e gjykatës reagoi VMRO-DPMNE.
“Drejtësia me LSDM-në në pushtet është një emër imagjinar dhe kjo dëshmohet me lirimin e Dragi Rashkovskit. Rashkovski i qesh në fytyrë drejtësisë, në vend që të burgoset, atij i është hequr arresti shtëpiak. Mbeten të pazgjidhura pyetjet se në cilën linjë Aleksandar Piperevaliev është kushëriri i tij dhe si janë paguar 850 mijë euro nga “Drisla” për ekskavatorë! Rashkovski është një njeri i cili gjithashtu ka mohuar që i ka shitur Ministrisë së Brendshme softuerin e që nuk përputhet me sistemin e kamerave. Rashkovski ka mohuar edhe “Leonardo”-n, por doli audio-incizimi si dëshmi. Sipas qeverisë, njeriu që ka ndarë “dy-tre shuplaka” nuk është kriminel.”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Ai akuzohet për keqpërdorim të pozitës dhe kompetencave zyrtare dhe pastrim parash në një çështje që ka të bëjë me prokurimet e kryera nga Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë rreth dy softuerëve – për kundërvajtjet në trafik dhe për identifikim biometrik, si dhe pagesën e honorarëve, nga të cilat, sipas prokurorisë, ish-sekretari i përgjithshëm një pjesë e kishte marrë për vete.
Rashkovskit pas hapjes së hetimeve më 16 prill të vitit të kaluar i është caktua masa e arrestit shtëpiak, por pas ankesës së Prokurorisë, vendimi u pezullua dhe pesë ditë më vonë mori paraburgim efektiv në burgun e Shkupit në Shuto Orizarë. Megjithatë, aty qëndroi rreth një muaj e gjysmë pasi më 4 qershor 2021, me vendim të Apelit, masa e paraburgimit efektiv i është zëvendësuar me arrest shtëpiak. Në arrest shtëpiak ai ka qëndruar deri dje. Trajko Veljanoski, nga ana tjetër, ndodhej në arrest shtëpiak për rastin e njohur në opinion si “Organizatorët e 27 prillit”. Aktgjykimi nuk është ende i formës së prerë, pasi Gjykata e Apelit duhet të vendosë për ankesat e paraqitura nga palët.
FARIJE DAUTI BAKIJU
