Maqedoni

Ëmbla vijon mësimin me bashkëmoshatarët

03.02.2022 15:58

Nxënësja e klasës së 4, Ëmbla Ademi, nga Gostivari, është sërish në mesin e shokëve e shoqeve të klasës në Shkollën Fillore “Bashkimi”.....

Nxënësja e klasës së 4, Ëmbla Ademi, nga Gostivari, është sërish në mesin e  shokëve e shoqeve të klasës në Shkollën Fillore “Bashkimi”. Ajo nuk e nisi gjysmëvjetorin e dytë në klasë për shkak të bojkotit nga ana e prindërve të nxënësve të klasës, të cilët ankoheshin për shfaqje të agresivitetit  nga ana e 11-vjeçares, e cila vuan nga  me sindroma Down. 
 
Shaqiri: Ndërgjegjësim për fëmijët me aftësi të kufizuara
 
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ka njoftuar mëngjesin e sotëm përmes rrjeteve sociale  se Ëmbla vazhdon të marrë njohuri të reja, të përparojë dhe të zhvillojë miqësi  bashkë me moshatarët e saj. Shaqiri ka shkruar se Ëmbla nuk e ka ndjerë gëzimin e kthimit në shkollë që në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë, sepse, për fat të keq, “në shoqërinë tonë ka ende stereotipa dhe paragjykime për personat me aftësi të kufizuara”. Shaqiri shpreson që raste të tilla në shoqërinë tone të mos përsëriten më asnjëherë. 
 
“Ne duhet të vazhdojmë të kontribuojmë në ndërgjegjësimin për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ata nuk janë të ndryshëm nga të tjerët dhe meritojnë qasje të barabartë për një arsim cilësor si gjithë të tjerët. Është një e drejtë themelore dhe ne jemi të detyruar ta mundësojmë, të krijojmë kushte në të cilat çdo fëmijë do të zhvillohet dhe realizojë potencialin e tij të plotë. Të dëshmojmë se gjithëpërfshirja e sistemit arsimor është prioriteti ynë kryesor dhe një proces që ne do të vazhdojmë ta zbatojmë. E dashur Ëmbla, të uroj suksese në shkollimin e mëtutjeshëm. Unë qëndroj pas teje në çdo betejë tjetër!”,- ka shkruar ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
 
Avokati i Popullit: Rasti “Ëmbla”, dëshmi për papjekuri të shoqërisë
 
Ëmbla është vizituar edhe nga përfaqësues të Qendrës për Fëmijë me Nevoja të Veçanta “Handimak”, nga ku kanë deklaruar se ajo nuk ka qenë asnjëherë agresive.
Pas publikimit të rastit ka reaguar edhe Avokati i Popullit. 
 
“Rasti tregon papjekuri të madhe të shoqërisë, e cila as nga larg nuk është e gatshme në praktikë ta implementojë rregulloren vendore dhe ndërkombëtare në lidhje me gjithëpërfshirjen e këtyre personave në jetën e përditshme.”,- ka thënë Avokat i Popullit. 
 
Sipas Avokatit të Popullit, e palejueshme është këto nxënës të jenë viktimë e mosgatishmërisë së individëve t’i pranojnë dhe të njëjtëve t’u vështirësohet  qasja në procesin arsimor, që me Kushtetutë dhe me ligj u është garantuar të gjithëve  në mënyrë të barabartë, pa elemente të çfarëdo lloj diskriminimi.

GAZMEND KURTISHI