Maqedoni

Kodi Zgjedhor, ASh: Kemi qëndrim ndryshe, jemi larg zgjidhjes

03.02.2022 16:14

ASh, me qëndrim të kundërt nga partitë e vogla maqedonase për ndryshimet në Kodin Zgjedhor....

ASh, me qëndrim të kundërt nga partitë e vogla maqedonase për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Partia e Selës insiston se zgjidhja më e mirë e modelit zgjedhor do të ishte modeli proporcional me lista të hapura dhe në tetë njësi zgjedhore sipas regjioneve zhvillimore. Kjo i’u tha deputetëve të VMRO-DPMNE-së në takimin e përbashkët në kuvend. Qëndrimi i përbashkët ishte që kryeparlamentari Xhaferi të hap kodin zgjedhor.
 
“Ka një konsensus midis subjekteve politike në kuvend se diçka duhet të ndryshohet në kodin zgjedhor, sidomos çështjen kryesore modelin zgjedhor. Por për fat të keq qëndrimet ndaj subjekteve politike akoma janë shumë të ndryshme dhe nuk pritet shpejt të ketë një zgjidhje konsensuale për këtë. Ka paralajmërime se ka edhe iniciativa të ndryshme që në kuvend do të vijnë, propozim ndryshime për kodin zgjedhor dhe natyrisht kurdo që të vijnë ne do ta themi qëndrimin tonë.”,- tha deputeti i ASh-së, Syrija Rashiti.
 
VMRO kërkon debat të ekspertëve
 
Grupi parlamentar i VMRO–DPMNE-së të cilët mbështesin propozimin për një njësi zgjedhore konsiderojnë se ndryshimeve duhet t’u paraprijë një debat i gjerë ekspertësh për marrjen e vendimeve cilësore.
 
“Për këtë na nevojitet konsensus, por përderisa nuk ulemi dhe bisedojmë në një debat publik, ku do të dëgjonim edhe ekspertët e jo vetëm ne si përfaqësues të partive politike, atëherë absolutisht nuk do të dimë se ku po shkojmë. Ne si VMRO–DPMNE insistojmë në zgjedhje të parakohshme, pra kjo është temë si parapërgatitje për zgjedhje kurdo që të ndodhin. Mos të ndodh si në të kaluarën që para zgjedhjeve të ulemi dhe të bisedojmë për çështje të tilla dhe të sjellim vendime të shpejta. E  dimë se gjithçka e miratuar shpejtë, më pas kërkon ndryshime shtesë.”,- u shpreh deputetja e VMRO–DPMNE-SË, Dafina Stojanovska.
 
Kërkesa për ndryshime në Kodin Zgjedhor erdhi nga partitë e vogla maqedonase në pushtet. Kërkojnë modeli zgjedhor nga gjashtë të kalojë në një njësi zgjedhore, duke hequr pragun zgjedhor dhe lista të hapura me përfaqësim të grave në 50%.
 
MERAL ISMAILI