Botë
Kluge: Evropa po hyn drejt qetësimit të pandemisë
03.02.2022 16:40
Masat e deritanishme kufizuese në Kosovë kanë dhënë rezultate, prandaj Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë...

Masat e deritanishme kufizuese në Kosovë kanë dhënë rezultate, prandaj Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë ka propozuar zbutjen e tyre. Ky komitet i rekomandon qeverisë që të lejohet hyrja në kufi me dy doza të vaksinës, ora policore të shtyhet nga 12:00 deri në orën 5 të mëngjesit, ndërsa gastronomia është propozuar që të punojë deri në orën 23:00. Këto masa pritet të miratohen të premten nga Qeveria e Kosovës.
Ndërkohë, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Hans Kluge, ka deklaruar se kontinenti evropian mundet së shpejti të hyjë në “një periudhë të qetësimit” sa i përket gjendjes me pandeminë. Në këtë kontekst ai përmendi shkallën e lartë të vaksinimit, fundin e dimrit dhe natyrën më pak të rrezikshme të variantit Omikron.
“Kjo periudhë e mbrojtjes më të lartë duhet të shihet si një "armëpushim" që mund të na sjellë paqe të qëndrueshme, me kusht që ne: të Konsolidojmë dhe ruajmë imunitetin duke vazhduar dhe rritur vaksinimin. Fokusimi te më të rrezikuarit, me mbikëqyrje dhe angazhim më të madh të qeverive. Promovimi i sjelljes vetëmbrojtëse dhe përgjegjësinë individuale. Intensifikimi i analizave për të zbuluar variante të reja.”,- deklaroi drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Deklarata e tij vjen në kohën kur disa vende evropiane kanë filluar tërheqjen e kufizimeve kundër virusit korona. Pas Danimarkës, Norvegjisë e Francës edhe Italia ka njoftuar se do të heqë së shpejti këto masa pasi gjendja me pandeminë ka filluar të stabilizohet.
Ndërkohë Komisioni Evropian propozoi të enjten të zgjasë për një vit përdorimin e certifikatave të COVID-19 që synojnë lehtësimin e udhëtimit në vendet e bllokut gjatë pandemisë, deri në fund të qershorit 2023. “Në këtë fazë nuk është e mundshme që të përcaktohet ndikimi i një rritje të mundshme të infektimeve në gjysmën e dytë të vitit 2022, ose dalja e varianteve të reja”, ka thënë Komisioni Evropian. Deri tani, shtetet e BE-së kanë lëshuar mbi 1.2 miliardë certifikata.
GYLTENE SINANI
