Maqedoni

Ëmbla vazhdon mësimin vetëm te një paralele e klasave të katërta

03.02.2022 17:34

Ka reaguar babai i vogëlushes 11 vjeçare nga Gostivari me sindromën Down, Ëmbla Ademi....

Ka reaguar babai i vogëlushes 11 vjeçare nga Gostivari me sindromën Down, Ëmbla Ademi, një ditë pasi vajza e tij nuk e ndoqi mësimin bashkë me shokët dhe shoqet e saj të klasës, për shkak të peticionit të bërë nga ana e prindërve të shkollës që ajo të mos vijojë mësimin në të njëjtën klasë me nxënësit e tjerë. Ai shpreson se rasti me vajzën e tij  të jetë i fundit dhe të mos përsëritet asnjëherë më.
 
Tani e tutje vogëlushja 11 vjeçe, Ëmbla Ademi, do të vazhdojë të ndjek mësimin pranë Shkollës Fillore “Bashkimi” në Gostivar dhe nuk do t’i ndërrohen klasat, por do të qëndrojë vetëm te një paralele të klasave të katërta. Vendimi u mor pas takimit që babai i Ëmblës realizoi me kreun e komunës dhe me kompetentët e Shkollës Fillore “Bashkimi”. Kryetari Taravari tha se nuk ka qenë i informuar për rastin dhe se ky problem duhet të ngrejë alarmin për raste të tjera të ngjashme.
 
Në ditën e parë të gjysmëvjetorit të dytë, Embla Ademi ka qenë e vetme në klasë për shkak se shokët e klasës kanë bojkotuar mësimin. Ajo që shkaktoi më tej zemërim ishte deklarata e drejtorit të shkollës, i cili në vend  të zgjidhjes së problemit, sugjeroi që gjatë procesit mësimor vogëlushja  të ndjekë mësimin në tri paralele.
 
LULZIM HAZIRI