Kuvendi diskuton për mandatet e opozitës

26.12.2014 12:28

Kuvendi sot do ta mbajë seancën e 28-të, në të cilën duhet të vendos për marrjen e mandateve të deputetëve të opozitës maqedonase....

Komisioni për Çështje të Rregullores dhe të Imunitetit në seancën e mbajtur më 2 dhjetor vendosi t'i propozojë kuvendit marrjen e mandateve për 31 deputetë të LSDM-së opozitare dhe partnerëve të saj të koalicionit, në bazë të raportit për mungesat e deputetëve të kësaj përbërje për periudhën prej gjashtë muajve, i përgatitur nga sekretari i përgjithshëm i kuvendit. Në bazë të raportit është përcaktuar se në periudhën prej 10 majit deri më 10 nëntor, 31 deputetë nuk kanë qenë prezent, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk e kanë njoftuar kryetarin e kuvendit se me arsye do të mungojnë nga 40 seanca.

Deputetët e opozitës, me përjashtim të tre deputeteve, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare sollën vendim që të mos marrin pjesë në punën e parlamentit. Ata dhanë dorëheqje, me arsyetimin se zgjedhjet nuk u zhvilluan sipas standardeve demokratike.

Madje LSDM-ja disa herë ka kërkuar nga kuvendi që t’u merren mandatet deputetëve të tyre. Ndërsa partitë në pushtet më shumë herë u bënë thirrje deputetëve të opozitës të kyçen në punën e kuvendit, por udhëheqësia e tyre ka përsëritur se mbeten me qëndrimin e tyre. Akoma nuk dihet nëse sot do t'u merren mandatet deputetëve të opozitës, pasi që t'i merren mandati një deputeti nevojitet shumicë prej dy të tretash, gjegjësisht 82 vota.